“Albpetrol” mbyll marrëveshjen me “Phoenix”

17/01/2014 00:00

Shoqëria “Albpetrol” mbyll marrëveshjen hidrokarbure “Për zhvillimin dhe prodhimin e hidrokarbureve në vendburimin e naftës Amonicë”, me shoqërinë “Phoenix Petroleum”. Kjo marrëveshje ishte vendosur me Vendim të Këshillit të Ministrave në datën 16 gusht 2013.

Mbyllja e marrëveshjes është kryer pasi kompania ka akumuluar detyrime të shumta ndaj “Albpetrol”. Në këto borxhe përfshihet edhe pagesa që duhet të bëhet për kompensimin mujor për 171 punëtorë të pushuar nga puna.

Nga verifikimi në terren rezulton se “Phoenix Petroleum” ka kryer operacionet e shitjes së produkteve hidrokarbure në kundërshtim me marrëveshjen dhe ka shitur në mënyrë të jashtëligjshme një sasi nafte që ishte lënë në ruajtje nga “Albpetrol”.

Operacionet drejtoheshin nga Aleksandër Zenelaj, ish-drejtor i Marrëveshjeve Hidrokarbure në “Albpetrol”, në periudhën kur është negociuar marrëveshja.

Shkeljet e konstatuara lënë vend për dyshime se kompania ka ushtruar ndikim të jashtëligjshëm në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes dhe më pas gjatë dorëzimit të vendburimeve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA