Seedorf, stërvitja e parë si trajner i Milanit

16/01/2014 20:05

Clarence Seedorf vendosi firmën në kontratën që do ta lidhë me Milanin deri në vitin 2016, ndërsa udhëhoqi stërvitjen e parë në klub pasditen e së enjtes.

Stërvitja nisi me një prezantim të shkurtër me futbollistët, edhe pse është e qartë që holandezi nuk kishte nevojë për një formalitet të tillë.

E çuditshme do të ketë qenë për Seedorf ndjesia e drejtimit si trajner të disa prej ish-shokëve të tij të skuadrës, si Abbiati, Bonera, Mexes apo Nocerino.

Pas futjes në fushë, një prej gjesteve të tjera të para që trajneri i ri i Milanit bëri ishte të përqafonte Montolivon, ndërsa shkëmbeu disa fjalë me Hondën dhe Pazzinin.

Pas fotografive fillestare, gazetarëve iu kërkua që të largoheshin, ndërsa stërvitja vazhdoi me dyer të mbyllura.

Ndërkohë, në një prononcim të shkurtër për mediat, Seedorf tha: “Në këtë moment ndiej një përgjegjësi shumë të madhe ndaj detyrës që më është besuar. Detyra ime kryesore është të rindërtoj këtë skuadër, të transmetoj entuziasëm dhe siguri. Dua të bëjmë gjëra të rëndësishme për tifozët. E lashë Milanin në Maj 2012 në fund të një cikli. Detyra ime do të jetë që të hap një cikël tjetër”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA