
Me 485 vota pro, 40 abstenime dhe 94 kundër, Parlamenti Europian miratoi rezolutën për integrimin europian të Kosovës.
“Mbi Kosovën jam i kënaqur t’ju informoj se perspektiva e saj europiane po merr formë. Kosova duhet të vijojë reformat për të përmbushur detyrimet e saj për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Negociatat për MSA-në po shkojnë shumë mirë. Ka rëndësi themelore për Kosovën që të merret me prioritetet e sundimit të ligjit përmes dialogut të strukturuar e të vazhdojë bashkpunimin e mirë me EULEX”, deklaroi komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule.
Bazuar në raportin e eurodeputetes Ulrike Lunaçek, rezoluta përsërit thirrjen ndaj 5 shteteve anëtare të BE-së për të vijuar me njohjen e pavarësisë, si dhe i kërkon Komisionit të përshpejtojë punën teknike për liberalizimin e vizave për kosovarët.
Incidenti i fundit në veri të Mitrovicës, me vrasjen e këshilltarit liberal serb u përfshi me amendamentin oral, ku kërkohet nisja e hetimeve dhe ndëshkimi i fajtorëve.
“Parlamenti Europian nënvizon në këtë kuadër se dështimi i përurimit të kreut të ri në veri të Mitrovicës dhe thirrja pasuese për zgjedhje të reja në këtë bashki nuk duhet të ndryshojë vazhdimin e procesit dhe zbatimin e plotë të marrëveshjes së 19 Prillit”, deklaroi Lunaçek, raportuese për Kosovën.
Me 528 vota pro, 51 abstenime dhe 43 kundër, Parlamenti Europian miratoi edhe rezolutën për Serbinë, vend i cili nis negociatat e anëtarësimit me BE-në javën e ardhshme.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel