Izrael-SHBA, kërkohet ndjesë për kritikat

16/01/2014 00:00

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Moshe Jalon, kërkoi ndjesë për fjalët e rënda, që përdori për rolin e Sekretarit të Shtetit, John Kerry, në procesin e paqes në Lindjen e Mesme, të cilat u publikuan në gazetën “Yediot Ahronot”.

Jalon kishte thënë se “John Kerry – që erdhi te ne i vendosur dhe që sillet me një mahni të pakuptueshme dhe një pasion mesianik – nuk mund të na mësojë asgjë të re për konfliktin me palestinezët”.

Departamenti amerikan i Shtetit shprehu revoltë për deklaratën. Shtëpia e Bardhë tha se komentet ishin tërësisht të pavenda, nëse flitet për përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për sigurinë e Izraelit.

Përmes një deklarate, zyra e Jalon tha se “ai nuk kishte pasur si qëllim të bënte ofeza”.

“Ministri i Mbrojtjes kërkon ndjesë, nëse Sekretari i Shtetit është prekur nga fjalët e thëna, – shkruhej në deklaratë. – Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë qëllime të përbashkëta në avancimin e bisedimeve të paqes me palestinezet. Ne vlerësojmë përpjekjet e shumta të Sekretarit Kerry”.

Jalon ishte shprehur se “Kerri, që kishte bërë 10 udhëtime në Izrael prej muajit Mars, duhet t’i fokusonte energjitë diku gjetkë”. Komentet e Jalon u kritikuan edhe nga kryeministri izraelit Netanjahu.

Gazetari i BBC-së, Plett Usher, në Nju Jork tha se fjalët e Jalon, të publikuara fillimisht në gazetën izraelite  “Yediot Ahronot” mund të reflektojnë edhe mendësinë e zyrtarëve të tjerë të lartë, por izraelitët kërkojnë të mbrojnë marrëdhëniet me aleatin e tyre më të fortë.

Negociatat mes izraelitëve dhe palestinezëve, deri tani nuk kanë shënuar progres. Në fillim të këtij muaji, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry zhvilloi bisedime në përpjekje për të arritur në projekt/marrëveshjen përfundimtare të paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Top Channel