Gjenevë, abuzimet me të miturit

16/01/2014 00:00

Përgjigja e Vatikanit ndaj akuzave të komisionit të OKB-së për të drejtat e fëmijëve, mbi qasjen e Selisë së Shenjtë ndaj abuzimeve seksuale me të miturit, i kanë lënë të pakënaqur anëtarët e një grupi amerikan në mbrojtje të viktimave.

Për të parën herë, përfaqësues të Vatikanit u morën publikisht në pyetje nga një panel ndërkombëtar në pallatin “Wilson” të Gjenevës, për skandalin që dëmtoi rëndë imazhin e kishës katolike në mbarë botën.

Detyra e komisionit është të vlerësojë se sa e ka zbatuar kisha konventën e OKB-së të vitit 1990, mbi të drejtat e fëmijëve, traktat që garanton një gamë të gjerë të drejtash për të miturit dhe, të cilin Selia e Shenjtë e ka firmosur.

Pjesëtarët e grupit, të njohur si “rrjeti i të abuzuarve nga priftërinjtë”, u shprehën të zhgënjyer nga pohimet e delegacionit, që tha në Gjenevë se Selia e Shenjtë ka juridiksion vetëm mbi qytetin e Vatikanit.

“Jam shumë i pakënaqur me qëndrimin e Vatikanit, sepse nuk po i përgjigjen pyetjeve të komisionit. Komisioni nuk i kërkoi direktivat, sepse ato funksionojnë vetëm kur vihen në zbatim. Ajo çfarë kërkohej ishte pikërisht implementimi. U pyetën për raste specifike, për instanca të veçanta dhe mënyrën se si janë përballur me këtë situate dhe çfarë thotë Vatikani? Thjesht që ka juridiksionin mbi vetëm 30 fëmijë, në një kohë kur kisha katolike ka mbi 1 miliardë besimtarë dhe influencon jetët e shumë më tepër të miturve, se sa këta 30 që përmendën përfaqësuesit e saj?”, u shpreh Miguel Hurtado, anëtar i SNAP.

Sipas themelueses së grupit, njëkohësisht presidente e tij, Barbara Blaine, vetëm në Shtetet e Bashkuara ka mbi 100,000 viktima të abuzimeve nga ana e priftërinjve.

“Pretendimet e tyre janë zhgënjyese, sepse të gjithë e dimë shumë mirë, që Vatikani ka juridiksion mbi çdo peshkop në mbarë botën dhe ne duam të shohim veprim, duam të shohim ndëshkimin e atyre peshkopëve, të cilët i mbulojnë krime të tilla”, tha Barbara Blaine, presidente e SNAP.

Akuzat për priftërinj katolikë, abuzivë me të mitur, kanë mbërritur nga pjesë të ndryshme të globit. Vetëm në Gjermani, një i tillë, i identifikuar si Andreas L., pranoi 280 akuza për abuzime seksuale me tre djem përgjatë një periudhe 8-vjeçare.

Top Channel