
Organizatorët e Australian Open kanë vendosur që të implementojnë “Extreme Weather Policy” (Politikën e temperaturave ekstreme) pasi në orën 13:30 në Melburn u regjistruan temperatura deri në 41 gradë Celsius. Efekti i parë ishte ndërprerja e disa ndeshjeve të tenisit për të mbrojtur sportistët. Për ndeshjet e tjera, pistat do të mbulohen për të penguar rrezet e diellit.
Vetë tenistët janë shumë të qartë. Andy Murray deklaroi: “Po na digjet lëkura!”
Ndërsa francezi Tsonga theksoi se nga nxehtësia e tepërt, pas disa orësh lojë ndjen pjesën e poshtme të atletes të zbutet.
Organizatorët janë munduar të mos e dramatizojnë kaq shumë situatën.
“Tenisi është sport me rrezik shumë të ulët krahasuar me futbollin apo garat e 10 000 metrave në atletikë. Tenistët kanë pasur mundësi të përshtaten me klimën e Australisë dhe mund ta përballojnë vapën. Edhe pse i ndjejnë shumë të nxehta këmbët, kjo nuk shton vapën që ndjejnë në trup apo stresin termik”, shpjegon Tim Wood, shefi i shërbimit mjekësor të Australian Open.
Debati nuk do të mbyllet me kaq pasi temperaturat mbi 40 gradë në Melburn pritet të vazhdojnë deri ditën e shtunë.
Top Channel