Bazuar në raportin e austriakes Ulriche Lunacek, Parlamenti Europian debaton në mbrëmje rezolutën mbi Kosovën, ku njihet rritja e kapaciteteve vendase për procesin e integrimit europian dhe përmbushjen e prioriteteve afatshkurtra,siç përcakton studimi i Komisionit, për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Dokumenti i bën thirrje Komisionit të përshpejtojë punën teknike për liberalizimin e vizave ndaj kosovarëve dhe i kërkon Këshillit të marrë vendimet e nevojshme për t’i mundësuar vendit pjesëmarrjen në programet e BE-së, inkurajon 5 shtetet anëtare të proçedojnë me njohjen e statusit dhe vlerëson se të gjitha vendet e BE-së duhet të lehtësojnë marrëdhëniet politike, ekonomike e sociale, si dhe kontaktet mes qytetarëve të tyre dhe kosovarëve.

Duke marrë në konsideratë pakënaqësitë e shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës ndaj EULEX, eurodeputetët presin rezultate më të larta si dhe rritje të efiçencës, transparencës dhe llogaridhënies së këtij misioni, duke informuar si Parlamentin Europian edhe Kuvendin e Kosovës.

Rezoluta, gjithsesi, dënon sulmin e 19 shtatorit ndaj zyrtarit të EULEX në Zveçan, retorikën nacionaliste, si dhe dhunën e shfaqur gjatë mbajtjes së zgjedhjeve lokale në veri. Autoritetet kosovare nxiten për një ligj të ri elektoral, në bashkpunim me Komisionin e Venecias, për të patur proçedura më transparente dhe për të thjeshtuar procesin e votimit.

Parlamenti inkurajon vijimin e dialogut e pajtimit mes komuniteteve, si dhe përfshirjen e shoqërisë civile në reformat integruese.

Strasburgu voton të enjten rezolutën për procesin integrues të Kosovës, ndërkohë që Brukseli vijon në të njëjtën ditë të ashtuquajturin “dialog të strukturuar” me Prishtinën për sundimin e ligjit, gjyqësorin dhe luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit.

Zyra e Përfaqësueses së Lartë, Ashton, ka njoftuar se takimi i parë për këtë vit mes kryeministrave Thaçi e Daçiç mbahet më 27 Janar, pas përurimit të suksesshëm të 3 prej 4 komunave në tërësi në veri të Kosovës.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA