Neymar: Ende nuk keni parë më të mirën time

15/01/2014 18:50

Neymar nuk ka mundur të shprehë ende lojën e tij më të mirë, që prej mbërritjes në “Camp Nou” nga Santosi gjatë muajve të verës.

Këtë e deklaroi vetë sulmuesi i kombëtares braziliane, në një intervistë të mërkurën në të përditshmen sportive spanjolle “Sport”.

Në fjalët e tij, 21-vjeçari beson se e ka patur të lehtë të përshtatet me jetën në Spanjë, por se ende nuk ka mundur të ngjitet në nivelin e dëshiruar të lojës.

“Vetbesimi im po përmirësohet ndeshje pas ndeshje. Kam filluar të tregoj më shumë nga niveli im, duke u ndierë më i lirshëm në fushë, por e di që mund të bëj shumë më mirë nga sa kam bërë deri tani. Përshtatja ime ka qenë e shpejtë, por ende nuk ka përfunduar. Ndeshje pas ndeshje ndiej që po fitoj gjithmonë e më shumë përvojë dhe se po tregoj gjithmonë edhe më shumë nga niveli im i vërtetë”, deklaroi Neymar.

Braziliani ka shënuar 11 gola në 25 ndeshje zyrtare që prej fillimit të sezonit, por nuk ndihet i shqetësuar për kritikët që thonë se ai duhet të shënojë më shumë.

“Golat dhe asistat janë diçka që do të vijnë natyrshëm dhe e vërteta është që nuk ndihem i shqetësuar. Kryesorja në këtë moment për mua është të ndihmoj skuadrën. E vetmja gjë që kam në mendje janë fitoret dhe titujt, golat nuk kanë ndonjë rëndësi”, shtoi sulmuesi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA