Konferenca e donatorëve për Sirinë

15/01/2014 00:00

Gjysma e popullsisë siriane, apo 9,3 milionë vetë në total, kanë nevojë urgjente për ndihmë, një përllogaritje kjo e OKB-së.

Sekretari i Përgjithshëm i saj, Ban Ki-moon u nis pikërisht nga një shifër e tillë tronditëse, për të promovuar në konferencën e donatorëve në Kuvajt apelin më të madh të lëshuar ndonjëherë për një çështje të vetme.

Takimi synon mbledhjen e 6,5 miliardë dollarëve dhe, deri në orët e vona të së mërkurës, nga vendet europiane dhe arabe u siguruan zotime për të paktën 2,4 miliardë.

Konflikti, – tha numri një i Kombeve të Bashkuara, – e ka kthyer Sirinë mbrapa me vite, apo ndoshta edhe dekada të tëra. Është jetike për rajonin dhe botën, ku ne të gjithë jetojmë, që kjo barrë të ndahet.

Rreth 6,5 milionë vetë janë zhvendosur brenda Sirisë. Më shumë se 2,3 milionë janë regjistruar si refugjatë jashtë saj; shumica jetojnë në kampe, që nuk i bëjnë dot ballë fluksit të të shpërngulurve.

Në qytetet e izoluara, për shkak të luftimeve, ka pllakosur uria. 100,000 vetë kanë humbur jetën, që nga fillimi i rebelimit në 2011-n, dhe kriza humanitare është në kulmin e saj.

2,4 miliardë dollarët e premtuar në Kuvajt përfaqësojnë vetëm një të tretën e shumës, që i nevojitet Sirisë për 2014-n, edhe pse mbledhja e fondeve do të vazhdojë edhe përgjate pjesës tjetër të vitit.

Organizata të ndryshme humanitare argumentojnë megjithatë se, edhe kur ndihmat mbërrijnë në vendin e trazuar, shpërndarja e tyre është tmerrësisht e vështirë. Ata akuzojnë autoritetet për pengimin e qëllimshëm të punës së tyre në terren, sidomos në disa zona të caktuara.

Sipas “Human Rights Watch”, Damasku ka lejuar disa ngarkesa, por ka refuzuar kategorikisht ndihmën nga Turqia për personat në nevojë në zonat veriore të vendit dhe, shpeshherë, kamionët e dërguar nga shteti fqinj janë detyruar të kthehen mbrapsht.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA