Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka vazhduar vizitën e tij në Irlandë ku është takuar edhe me ministrin për Evropën, Paschal Donohoe, me të cilin ka folur për axhendën evropiane të Kosovës.

Në fokus ka qenë përfundimi i negociatave dhe nënshkrimi i MSA-së mes Kosovës dhe BE-së në pjesën e parë të këtij viti, si dhe çështjet që ndërlidhen me kushtëzimin e Serbisë për t’i përmbushur marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Të dy ministrat kanë ndarë vizionin e përbashkët për të ardhmen e Ballkanit në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti. Hoxhaj dhe Donohoe janë pajtuar edhe për ta nënshkruar MSA-në ndërmjet sa më shpejt që është e mundur dhe para zgjedhjeve që do të mbahen këtë verë për Parlamentin Evropian dhe institucione të tjera të BE-së.

“Kosova i është mirënjohëse Irlandës për ndihmën e dhënë që nga pas lufta. Raportet tona bilaterale janë të shkëlqyera edhe për dy arsye të tjera. E para sepse Kosova arriti marrëveshjen me Serbinë vitin e kaluar gjatë presidencës irlandeze dhe e dyta sepse Dublini është përkrahës pa rezerva i Kosovës në përfundimin e shtetësisë së Kosovës dhe anëtarësimin e Kosovës në BE”, ka thënë Hoxhaj.

Nga ana e tij, ministri Donohoe ka ofruar mbështetjen e tij dhe të ministrisë që udhëheq në iniciativat në fjalë të ecin përpara. “Ju siguroj se do të keni mbështetjen e Irlandës sikurse deri më tani. Vendet tona të vogla kanë çfarë të mësojnë shumë nga njëra-tjetra. Do ta ushtrojmë të drejtën tonë për ta ndihmuar Kosovën në përmbylljen sa më të shpejt të MSA-së, ndihmën për aplikim dhe anëtarësim në organizatat ndërkombëtare”, ka thënë ministri irlandez.

Ministri Hoxhaj ka mbajtur edhe një ligjëratë në Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane në Dublin, para një audience të njohur politikanësh, akademikësh, diplomatësh dhe studiuesish për temën e “Fuqia e Mençur e Shteteve të Vogla: Qasja e Kosovës në Politikën e Jashtme”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA