
Në përmbyllje të vizitës zyrtare në Athinë, ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli u prit edhe nga presidenti Karolios Papulias.
Sipas një njoftimi për shtyp të Ministrisë së Mbrojtjes, Papulias dhe Kodheli vlerësuan marrëdhëniet e bashkëpunimit midis dy vendeve tona, si dy vende fqinje nga më të vjetrit në rajon, me lidhje të vjetra historike dhe tradicionale.
Në mënyrë të veçanë, ata ndanë të njëjtin mendim për zhvillimet pozitive të kohëve të fundit, që po i japin marrëdhënieve tona një përmbajtje të re cilësore, në interes të dy popujve tanë, të stabilitetit dhe paqes në rajon, si një vlerë e shtuar edhe në kuadrin e të gjithë Bashkimit Europian.
Si presidenti Papulias, ashtu edhe ministrja Kodheli, gjatë bisedës së tyre prekën edhe disa nga çështjet e axhendës së marrëdhenieve dypalëshe, që kërkojnë zgjidhje në frymën e klimës pozitive dhe vullnetit të mirë të dy qeverive, siç janë ligji i luftës, delimitimi i detit, nderimi i të rënëve në Luftën Antifashiste, toponimet etj.
Ministria Kodheli vuri në dijeni presidentin Papulias, mbi zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, mbi mbledhjen e fundit mes dy qeverive, duke e konsideruar atë si një model i mirë, që mund të bëhet mes qeverive të tjera të rajonit tonë.
Presidenti Papulias vlerësoi vendosmërinë e qeverisë Rama për reformat brenda vendit dhe vendosmërinë e saj për t’u bërë anëtare e familjes europiane. Shqipëria, – tha ai, – është një vend europian, i takon Europës dhe Greqia ka qënë dhe mbetet mbështetësja kryesore për integrimin e shpejtë të saj në BE, në periudhën e Presidencës saj.
Top Channel