Egjipt, dita e dytë e referendumit

15/01/2014 00:00

Dita e dytë e votimit për Kushtetutën e re të propozuar nga qeveria e mbështetur nga ushtria në Egjipt, u shoqërua me incidente dhe përplasje më të ashpra se sa ditën e parë.

Qeveria e përkohëshme e mbështetur nga ushtarakët kërkon një votë të fortë pro kushtetutës që do të legjitimonte rrëzimin e presidentit Mohammed Morsi dhe shpalljen të jashtëligjshme dhe organizatë terroriste të partisë së tij, “Vëllazëria Muslimane”.

Të paktën 9 persona raportohen të vdekur nga përplasjet mes forcave të sigurisë dhe mbështetësve të Morsit në disa qëndra votimi.

“Vëllazëria Muslimane” bëri thirrje për bojkotim të votimit. Qëndrat e votimit pritet të qëndrojnë hapur deri në orë 21:00 me orën lokale, ndërsa mbetet e paqartë se kur do të shpallen rezultatet e referendumit.

Korrespondenti i BBC thotë se megjithëse jo me të njëjtin fluks si ditën e parë të votimit, egjiptianët dolën sërish në radhë për të hedhur votën e tyre për kushtetutën e re. Mediat arabe duke cituar Ministrinë e Drejtësisë thonë se të paktën 50 përqind e personave më të drejtë vote kanë hedhur votën e tyre.

Pjesa më e madhe e mediave në Egjipt mbështesin kushtetutën e re dhe këndvështrimin e qeverisë së përkohëshme për të. Por analistët ndërkombëtarë thonë se ajo është nën kontrollin e plotë të ushtrisë dhe se këtyre raportimeve u mungon paanshmëria.

Që prej 3 korrikut, kur Morsi u rrëzua nga ushtria, Egjipti është përfshirë nga një valë trazirash mes mbështetësve të ish-presidentit dhe ushtrisë. Ish-presidenti mbahet i arrestuar dhe ndaj tij rëndojnë akuza të rënda, njëra prej të cilave ajo e vrasjes dhe e nxitjes së dhunës gjatë protestave të fundqershorit të vitit të kaluar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB