E dashura e një presidenti nuk ka vetëm favore, por edhe disa kosto që duhet të paguajë dhe këtë po e provon në kurizin e saj Julie Gayet, e përfolur për një lidhje jashtëmartesore me Presidentin e Francës, Francois Hollande.
Aktorja e vendosur në qendër të një skandali që ka tërhequr vëmendjen e mediave botërore u përjashtua ditën e mërkurë nga juria vlerësuese e një akademie filmi.
Ministria franceze e Kulturës nuk prezantoi asnjë shpjegim për vendimin e përjashtimit të Gayet, e cila figuronte fillimisht midis anëtarëve të jurisë.
Aktorja ishte pjesë e komisionit vlerësues për bursat e “Villa Medici”, një akademi prestigjioze franceze e filmit, me qendër në Romë.
Marrëdhënia midis saj dhe presidentit Hollande u publikua në faqet e një reviste franceze gjatë javës së shkuar.
Midis të tjerave, revista publikoi edhe disa foto të presidentit me kaskë motori, për t’u maskuar nga vëmendja e publikut, ndërsa vizitonte banesën e aktores.
Aktualisht, Zonja e Parë e Francës, Valerie Trierweiler, ndodhet në spital, ku mësohet se është shtruar pas përjetimit të shokut të tradhëtisë së partnerit të saj.
Ndonëse jetojnë së bashku dhe Trierweiler konsiderohet zyrtarisht si Zonja e Parë, ajo dhe Hollande nuk janë të martuar.
Top Channel