
Komisioni Hetimor i ngritur nga Senati amerikan për të hetuar mbi sulmin në Bengazi ku humbën jetën 4 shtetas amerikanë, mes të cilëve edhe ambasadori Christopher Stevens publikoi raportin e tij të shumëpritur.
Raporti ka marrë bekimin e dy palëve në Senat, të demokratëve që janë në maxhorancë dhe të republikanëve dhe aty thuhet se sulmi ndaj konsullatës amerikane në qytetin lindor të Libisë pak muaj pas rrëzimit të Muammer Gedafit mund të ishte shmangur.
Senati fajëson Departamentin e Shtetit, i cili sipas tij dështoi në marrjen e masave shtesë të sigurisë për personalin diplomatik pavarësisht paralajmërimeve për një sulm të mundshëm. Përgjegjësia e fajit bie edhe mbi agjencitë e inteligjencës që shihen si fajtore për për mbajtjen sekret ndaj Departamentit të Shtetit për ekzistencën e një zyre të CIA-s në të njëjtën godinë.
Komisioni thotë se komanda e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara në Afrikë nuk kishte dijeni për këtë zyrë, ndaj nuk kishte as mjetet dhe burimet njerëzore për të mbrojtur godinën nga sulmi.
“Bazuar në informacionet mbi aktivitetet terroriste në Libi, përfshirë këtu kërcënimet dhe sulmet e mëherëshme ndaj shënjestrave të vendeve të tjera perëndimore, sulmi ishte i parashikueshëm dhe mund të shmangej duke i dhënë personelit diplomatik sigurinë e nevojshme në mjete dhe njerëz”, thuhet në raportin e Senatit.
Raporti citon gjithashtu edhe hetimet e Byrosë Federale të Inteligjencës, FBI në terren. Agjentët e kësaj strukture pas ngjarjes së rëndë zbarkuan në Bengazi për të gjetur përgjegjësit e sulmit, por kanë hasur vështirësi në punën e tyre, për shkak të ekzekutimit të banorëve vendas që bashkëpunonin në hetim.
“Të paktën 15 persona që mbështesnin apo ndihmonin në hetim, janë ekzekutuar në Bengazi, por kjo është e paqartë nëse këto vrasje lidhen me hetimin apo jo”, thuhet në raport.
Raporti shton se milicia rebele libiane, e ngarkuar me mbrojtjen e godinës së konsullatës amerikane nuk bëri detyrën e saj duke u lënë dorë të lirë sulmeve, ndërsa akuzohet Zv.Sekretari i Shtetit për Menaxhimin, Patrick Kennedy për pengim të mbikqyrjes së Kongresit ndaj administratës Obama.
Një grup prej më shumë se 120 personash të armatosur rëndë sulmuan godinën e konsullatës amerikane në Bengazi më 11 shtator të 2012-ës, duke lënë të vrarë katër persona, dy diplomatë, mes të cilëve ambasadori Christopher Stevens dhe dy pjestarë të personelit të sigurisë.
Sulmi u dënua menjëherë nga Shtetet e Bashkuara, qeveria libiane dhe qeveritë e vendeve të tjera. Që prej asaj kohe, disa persona janë arrestuar, që të gjithë nga ana e autoriteteve të Tripolit, që paralelisht me FBI-në po kryejnë hetimin e tyre.
Top Channel