Vendimi i FIFA-s në mediat serbe

14/01/2014 00:00

Vendimi i FIFA-s që të lejojë ndeshjet miqësore për Kosovën është
përcjellë me vëmendje në Serbi. Shumica e mediave serbe e vlerësojnë
faktin që Kosova në disa ndeshje do të luajë pa simbole kombëtare dhe pa
himnin e saj.

Megjithatë, një nga gjërat më të rëndësishme është se Kosova nuk mund të luajë me kombëtaret e ish-Jugosllavisë, shkruan shtypi serb.

Gazeta “Blic” shkruan me mllef në momentin kur citon zyrtarët Kosovarë, të cilët i quan “të ashtuquajtur” dhe “republika e vetëshpallur”.

Tomisllav Karaxhiç, kryetar i Federatës së Futbollit në Serbi, ka thënë se problem për ta është fakti që në disa sporte të tjera Kosova garon.

Ndërsa në faqen e internetit të televizionit B92, përveç informimit të zakonshëm ka pasur edhe shkrime vlerësuese se kush mund të përbëjë kombëtaren e Kosovës.

Gjithashtu, ka pasur edhe një analizë të hollësishme të kosovarëve që luajnë jashtë dhe për kombëtaren shqiptare.

Ndërkohë, qëndron edhe vlerësimi se futbolli serb ka luftuar më gjatë se politika për Kosovën, por, siç thuhet, ka ardhur koha e përballjes me realitetin.

“Pyetja që ngelet është cili lojtar serb do të jetë i pari në kombëtaren e Kosovës. Para disa vitesh ishte e paimagjinueshme edhe që politikanët serbë të dilnin në zgjedhje”, thuhet në shkrim.

Top Channel