Tregtia, SHBA akuza Kinës

14/01/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar Kinën për dështim në implementimin e direktivës së Organizatës Botërore të Tregtisë që kërkonte heqjen e detyrimeve për importin e çelikut amerikan.

OBT kishte ndërmjetësuar një përplasje mes dy vendeve në vitin 2012 dhe e kishte cilësuar si jo të drejtë vendimin e Kinës për të vendosur tarifa mbi produktet amerikane të çelikut.

Uashingtoni deklaron se taksa u kushton kompanive amerikane mbi 250 milionë dollarë ne eksport. Nga ana e saj, Kina pretendon se që atëherë ka reduktuar taksat e importit, por Shtetet e Bashkuara insistojnë se kjo nuk ka qenë e mjaftueshme.

Përfaqësuesi i Biznesit amerikan, Michael Froman deklaroi se kjo është hera e parë që SHBA përplasen me Kinën për vendimin e Organizatës.

“OBT vendosi se taksat e Kinës nuk janë në përputhje me rregullat e saj. Ne kishim të drejtë dhe Kina gabohej. Për fat të keq duket se Kina nuk i ka korrigjuar gabimet e saj”, deklaroi Froman.

Shtetet e Bashkuara po kërkojnë bisedime me Kinën brenda dy javëve të ardhshme dhe nëse nga Pekini nuk do të ketë një përgjigje pozitive, atëherë çështja do t’i rikthehet OBT-së.

Çeliku për të cilin bëhet fjalë prodhohet nga dy kompani amerikane dhe përdoret në objekte si motorë elektrikë dhe gjeneratorë.

Shtetet e Bashkuara e kishin çuar çështjen në OBT në vitin 2010, pasi Kina kishte akuzuar prodhuesit amerikanë se shisnin produktet e tyre me çmime abuzive në tregun kinez për të mos përfituar taksa.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA