Kryeministri kosovar Hashim Thaçi, në mbledhjen e kabinetit tha se,
tashmë është në pritje të KQZ-së dhe shpalljes së zgjedhjeve të reja nga
presidentja e vendit në veri të Mitrovicës.

Më tej ai uroi tre kryetarët e rinj të komunave të tjera në veri, të cilët bënë betimin sipas afateve ligjore bashkë me asamblesitët.

“U bë edhe konstituimi i kuvendeve komunale në veri të Kosovës, ku kryetarët e komunave në veri dhanë betimin në përputhshmëri me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, me përjashtim të njërit, i cili edhe vetë u diskualifikua, sepse nuk mund të lëvizte përpara pa e respektuar Kushtetutën dhe ligjet e vendit”, deklaroi Thaçi.

Gjatë kësaj mbledhje kryeministri foli për mbledhjen e dy qeverive në Prizren. Ai tha se takimi i qeverisë së Prishtinës dhe Tiranës përveç karakterit historik tani e tutje do të ketë prioritet më të thellë të bashkëpunimin mes dy vendeve.

Sipas tij, kjo është edhe një sprovë e cila drejton vendet nga integrimi europian. Thaçi kërkoi nga ministrat përkatës që të rishqyrtojnë me kujdes të gjitha marrëveshjet e arritura në Prizren dhe urdhëroi zbatimin e tyre me përpikmëri.

Ndërkohë, ministri i Ekonomisë dhe Financave, Besim Beqaj paralajmëroi vizitën e ministrit shqiptar Shkëlqim Cani të premten.

Beqaj tha se kjo vizitë ka për qëllim shqyrtimin e paketës së re fiskale dhe gjatë saj do të shqyrtohen modalitetet për modifikim. Ministri Beqaj njoftoi kabinetin se gjatë kësaj jave në Kosovë do të qëndrojë një ekipi i FMN-së.

Jahjaga pret kryetaren e KQZ-së
Konfirmohet mbajtja e zgjedhjeve në Mitrovicë

Presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti të martën në një takim kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, me të cilën bisedoi për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetar të Mitrovicës së Veriut.

Presidentja Jahjaga u njoftua nga kryetarja e KQZ-së për aspektet organizative dhe përgatitjet që duhet të kryhen nga KQZ-ja për mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të parakohshme.

Presidentja Jahjaga theksoi se i gjithë procesi duhet t’i përmbahet ligjeve të Kosovës që përcaktojnë rrethanat dhe mënyrën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Ajo tha se të gjitha institucionet e mandatuara për mbarëvajtjen e procesit duhet të përgatiten sa më mirë për zgjedhje të drejta dhe të lira. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA