
Moska dhe Uashingtoni kanë bërë thirrje ndaj regjimit sirian dhe rebelëve, të pranojë armëpushimin, në një pjesë të vendit të tyre të shkatërruar nga lufta civile, përpara bisedimeve për paqe këtë muaj.
Gjatë takimit të së hënës në Paris, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se presidenti Bashar al-Assad ishte i gatshëm t’u jepte akses ndihmave në zonat e shkatërruara.
Shtetet e Bashkuara dhe Rusia bënë thirrje që armëpushimi të nisë përpara bisedimeve “Gjeneva 2”, që priten të nisin në Montreux, më 22 Janar.
“Folëm sot (të hënën) rreth mundësisë për përpjekjet tona në inkurajimin e një armëpushimi. Ndoshta një armëpushim të kufizuar në Aleppo”, tha John Kerry, Sekretari amerikan i Shtetit, pas takimit.
Diskutimet, të ndjekura edhe nga i dërguari special i OKB-së dhe Ligës Arabe, Lakhdar Brahimi, përfshinë gjithashtu edhe mundësinë për një shkëmbim të të burgosurve, mes palëve ndërluftuese.
Ky ishte një ‘dakordësim’ i rrallë mes dy superfuqive të shqetësuara për krizën siriane, ku SHBA-të mbështesin opozitën, ndërsa Moska qëndron përkrah aleatit të përhershëm, Assad.
Gjithsesi, dy vendet vazhdojnë të mos bien dakord mbi pjesëmarrjen e Iranit në bisedime, teksa Kerry thotë se Teherani duhet të pranojë planet për një qeveri tranzicioni, nëse dëshiron të marrë pjesë në to.
Kerry tha se procesi në Gjenevë, për t’i dhënë fund krizës, do të jetë i vështirë, por se duhet të nisë me çdo kusht. Kerry shtoi se Lavrov i kishte thënë, që qeveria e Assad ishte e përgatitur gjithashtu për të hapur disa rajone të caktuara kundrejt ndihmave humanitare, përfshi edhe zonat e pushtuara të Ghouta-s lindore.
“Presim të njëjtat hapa edhe nga opozita”, theksoi Lavrov. Ministri i Jashtëm sirian, Walid Muallem, pritet të mbërrijë në Moskë gjatë së premtes, përpara bisedimeve të “Gjenevës 2”, bëri të ditur Ministria e Jashtme ruse.
Top Channel