
Të gjitha objektet e ndërtuara pa leje pas datës 25 Gusht 2013, do të rrënohen, ashtu siç edhe e parashikon ligji për ndërtimet pa leje, i miratuar Dhjetorin e vitit të kaluar në Parlamentin e Kosovës.
Kjo u bë e ditur në konferencën për mediat, nga zyrtarë të Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Drejtori për Urbanizëm në Komunën e Prishtinës, Liburn Aliu, tha se janë në fazën e riorganizimit të drejtorisë, arkiva e së cilës është shumë e paorganizuar.
“Tanimë janë krijuar grupet punuese. Disa prej tyre do të fillojnë nga e hëna, me zyrën e pranimit që përmenda, ashtu si dhe rregullimi i arkivës. Ndërsa shumë shpejt do të fillojmë me ndarjen e ekipeve sipas lagjeve, për skanimin e gjendjes në terren”, tha Liburn Aliu, drejtor i Urbanizmit, KK Prishtinë.
Ndërsa drejtori i Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, Xhelal Sveçla, tha se situata nuk është e mirë dhe kërkon kohë, duke pasur parasysh edhe mungesën e stafit në këtë drejtori. Megjithatë kanë filluar edhe ndalimet e para të punimeve në ndërtimet pa leje.
“Sa i takon inspektoriatit, ne momentalisht jemi duke ndalur punën për ata që nuk kanë leje, duke bërë edhe planifikimin për rrënime, për ato raste kur ka tejkalime, kur ka shkelje të vazhdueshme të procedurave, rregullave dhe ligjeve në fuqi, si dhe skanimit të gjendjes në përgjithësi në kryeqytet”, tha Xhelal Sveçla, drejtor i inspeksionit, KK Prishtinë.
Objektet e ndërtuara para datës 25 Gusht 2013 do të kenë një afat të caktuar për të aplikuar për legalizim, në të kundërt do të rrënohen.
Në anën tjetër, kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, foli për objektin e një pike karburantesh, që po pengon punimet në ndërtimin e rrethrrotullimit të madh në dalje të Prishtinës.
Top Channel