Hollande: Po kaloj momente të vështira

14/01/2014 00:00

“Çështjet private duhet të zgjidhen privatisht” dhe me këtë fjali, shefi i Elizesë, Francois Hollande e mbylli atë pjesë të konferencës së shumëpritur për shtyp ku kërshëria e gazetarëve për reagimin e tij ndaj skandalit të lidhjes me një aktore, kur bashkëjeton me reporteren Valerie Trieveiller.

Të gjithë pohimet e Hollande-t për çështjen pikante të zbuluar nga revista “Closer”, u përmblodhen tek pretendimi se po kalon një moment të vështirë në jetën private.

“Në jetet e tyre personale, të gjithë përballen me gjyqe. Ky dhe rasti ynë këtu. Janë momente të dhimbshme, por unë kam një parim: që këto momente të trajtohen privatisht dhe të respektohet intimiteti i tjetrit”, tha Hollande.

Presidenti francez refuzoi t’i përgjigjej pyetjeve mbi lidhjen me 41-vjecaren Julie Gayet, për të respektuar siç tha, të gjithë personat e përfshirë në këtë cështje dhe fokusin e takimit me gazetarët e ktheu tek ai që ishte qëllimi kryesor i konferencës së planifikuar prej kohësh: paraqitja e politikave që do të ndihmojnë ekonominë e ngadalësuar të vendit.

Kritikat më të mëdha me të cilat përballet qeveria franceze lidhen më së pari me faktin që ajo vetë është më e madhe se ç’duhet, ndërsa barra e taksave e rregullave nga ana tjetër, sidomos në tregun e punës është e tepruar. Hollande premtoi reduktimin e shpenzimeve publike me 50 milionë euro përgjatë tre viteve të ardhshme.

“Ju kujtoj se në 2014-ën, pra këtë vit, do të kursejmë 15 miliardë. Ç’na mbetet tjetër për të bërë? Nga 2015-ta deri në 2017-ën duhet të përftojmë edhe 50 miliardë të tjera. Kjo është vërtet shumë dhe s’është bërë kurrë më parë”, deklaroi presidenti Hollande.

Ekonomia franceze ka kohë që çalon. Fuqia e dikurshme europiane vuan nga problemet në industri, tregun e punës dhe sistemet sociale, ndërsa reformat ende nuk po japin efekt. Franca i ka shkelur disa herë kriteret e Maastrichtit për mostejkalimin e kufirit të 3% të borxhit të ri.

Këtë vit ai kap shifrën 4%. Deri më tani borxhi i ri publik është financuar përmes rritjes së tatimeve. Nga viti 2015, kur do të shkurtohen edhe shpenzimet shtetërore, shpresat janë të mos kalohet kufiri i 3 përqindëshit, por agjensia e vlerësimit të riskut,  Standard & Poor`s e sheh si të pamundur që qeveria franceze të jetë në gjendje të ulë borxhin shtetëror.

Për të ndjekur konferencën e presidentit në pallatin Elize më shumë se sa 500 gazetarë kishin rezervuar vendet prej kohësh. Partnerja e Hollande-it ndërkohë Trierveiler vazhdon të mbetet e shtruar në spital pas tronditjes që pësoi nga lajmi i lidhjes së tij me aktoren 41-vjeçare.

***

Zhurma për lidhjen e presidentit francez, Francois Hollande me aktoren Julie Gayet sa vjen e bëhet më e madhe, madje tashmë në valle futet edhe mafia. Mediat franceze ditët e fundit flasin për një lidhje të tërthortë, ndoshta të pavullnetëshme të presidentit Holland me mafian famëkeqe korsikane. Sipas tyre, vendtakimi i presidentit 59-vjeçar me aktoren 41-vjeçare është një hotel vetëm pak metra larg pallatit presidencial.

“Le Parisien” dhe portali online “Mediapart” shkruajnë se apartamenti është marrë me qira nga Emmanuelle Hauck, një mikeshë dhe kolege e Gayet, e njohur për lidhjet e saj romantike me eksponentë të mafias korsikane, të dënuar nga drejtësia apo të ekzekutuar nga grupet rivale.

“Le Parisien” shkon më tej kur flet për një traditë të vizitave të presidentëve francezë në këtë ndërtesë, duke u zhvendosur pas në kohë deri tek ish-presidenti Jacques Chirac që e përdorte atë për takime private që duhet të mbeteshin sekret.

Pas publikimit të lajmit për lidhjen, vetë presidenti Hollande deklaroi se po shqyrton mundësinë të padisë revistën “Closer” që e botoi e para lajmin, por pa mohuar dhe as pohuar ekzistencën e lidhjes.

Megjithatë, pavarësisht skandalit popullariteti i Hollande mbetet në të njëjtat nivele minimale, duke u vërtetuar si presidenti më pak popullor që pas Luftës së Dytë Botërore. Opozita e djathtë deklaroi se “nuk komenton jetën private të presidentit, por tha se të shpenzosh kohën në të tilla aventura në një kohë të vështirë ekonomike për vendin, sigurisht që s’është një vendim i zgjuar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA