Egjipt, votohet për kushtetutën e re

14/01/2014 00:00

Egjiptianët kanë nisur të martën, nën masa të rrepta sigurie votimin në kuadër të referendumit për kushtetutën e re, që mund t’i hapë vendit rrugën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Projekti i ri synon zëvendësimin e kushtetutës së miratuar nën drejtimin e ish-presidentit Mohammed Morsi, muaj përpara se ai të rrëzohej nga ushtria. Kjo e fundit kërkon një “po” të fortë pikërisht për të legjitimuar shkarkimin e Morsit.

Vllazëria e tij Myslimane, tani e cilësuar një organizatë terroriste, po bojkoton votimin dhe në vend ekziston frika për trazira. Vetëm pak momente pasi procesi i votimit filloi, një shpërthim u dëgjua në afërsi të selisë së gjykatës në Kajro, për fat të mirë pa shkaktuar lëndime në njerëz.

Ndërkohë, një operacion masiv sigurie, që do të zgjasë përgjatë gjithë procesit të votimit, ka nisur nga zbatimi. Ministria e Brendshme deklaron se 200 mijë oficerë policie, 150 njësi sigurimi dhe 200 grupe luftarake po vendosen rreth qendrave elektorale.

E dërguara e BBC në Kajro deklaron se kjo ka qenë një fushatë e shtrembëruar, me reklama për votimin e kushtetutës që janë transmetuar vazhdimisht në radiot dhe televizionet private.

Ndërkohë, identifikimi i protestuesve që kanë lobuar kundër ka qenë i vështirë dhe shumë persona janë arrestuar sepse i kanë mbështetur ata, vijon korrespondentja.

“Demokratik apo jo, referendumi shihet nga shumë qytetarë si diçka më shumë se një kushtetutë e re. Ai shihet si një verdikt për largimin e Morsit”, vijon Orla Guerin.

Top Channel