
Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç viziton sot Kosovën, me Graçanicën
si stacionin e tij, ku pak ditë më parë qëndroi edhe ministri serb pa
portofol, Aleksandar Vulin.
Sipas raportimeve të “Kosovapress”, Daçiç pritet të mbërrijë rreth orës 13 dhe do të marrë pjesë në premierën e filmit “MonteVideo”.
I pranishëm në këtë premierë do të jetë edhe aktori i njohur serb nga Beogradi, Dragan Bjellogrliç, ndërkohë që flitet se i ftuar është edhe aktori kosovar, Enver Petrovci.
Mediat kosovare e kanë cilësuar vizitën e kryeministrit serb si një përgjigje ndaj mbledhjes së përbashkët të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, të shtunën e kaluar në Prizren.
Pritet që në fund të evenimentit artistik, kryeministri Daçiç të mbajë edhe një konferencë për shtyp, ku sipas të gjitha gjasave do të pyetet edhe mbi mbledhjen në fjalë, ku Kosova dhe Shqipëria nënshkruan një seri marrëveshjesh të karakterit ekonomik dhe ndanë një ndihmë për Luginën e Preshevës, për të cilën është hapur edhe një fond.
Top Channel