Në Mitrovicën e Veriut do të përsëriten zgjedhjet për kryetar komune.
Ky vendim u mor të hënën, nga qeveria e Republikës së Kosovës, pas
pranimit të raportit nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal,
mbi marrëveshjen e inaugurimeve të organeve komunale, në 4 komunat e
veriut të Kosovës.

“Është bërë dhënia me sukses e betimeve nga kryetarët e komunave, përveç se nga kryetari i zgjedhur i komunës së Mitrovicës Veriore, i cili ka dështuar ta bëjë një gjë të tillë, ndaj dhe në këtë komunë do të përsëriten zgjedhjet për kryetarin e saj, ashtu siç e parashikon Kushtetuta e Republikës së Kosovës dhe legjislacioni përkatës në fuqi”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Vendimi, për përsëritjen e zgjedhjeve në Mitrovicën e Veriut, erdhi pasi Krstimir Pantiç, i cili kishte fituar garën zgjedhore për të udhëhequr këtë komunë, të dielën nuk pranoi të nënshkruajë deklaratën e betimit, me arsyetimin se ajo përmbante logon dhe mbishkrimin e Republikës së Kosovës, sado që ato ishin mbuluar me letër ngjitëse.

Ndër të tjera, në komunikatë, qeveria e Republikës së Kosovës shpreh mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e dhënë në këtë proces të Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA