Ashtu sikurse shumë vende europiane edhe Kosova është duke punuar drejt sanksionimit me ligj të pjesëmarrjes së shtetasve të vet në luftërat jashtë vendit.

Kjo ka ardhur pas alarmit të dhënë se shumë kosovarë, sikurse nga vendet e rajonit Shqipëria dhe Maqedonia, i janë bashkuar grupeve ushtarake për çlirimin e Sirisë nga regjimi i presidentit sirian Bashar Al Assad.

Por aktualisht qeveria e Kosovës nuk është e gatshme të flasë për detaje të tjera apo të tregojë përmbajtjen e pakos ligjore. Ajo çfarë mund të kuptohet është se hartimi i ligjeve për këtë çështje është në dorën e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Këshilltari politik Fisnik Rexhepi tha se ka kohë që po punohet në këtë drejtim, si në kompletimin e bazës ligjore ashtu edhe në veprime të tjera operacionale, duke shtuar se më shumë detaje nuk mund të jepen.

Në fakt ka qenë ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj i cili para pak ditësh deklaroi se të gjithë shtetasve të Kosovës të cilët kanë shkuar në Siri duhet t’u hiqet shtetësia.

Shefi i diplomacisë kosovare ka njoftuar se janë 20 apo 30 kosovarë të cilët aktualisht ndodhen në Siri, duke mohuar kështu informacionet se numri është 150 apo më shumë.

E ndryshe nga shteti, që tashmë është bërë aktiv në këtë temë, tani janë familjet, djemtë e të cilave po marrin pjesë në luftën e Sirisë, të cilat duket se kanë zgjedhur heshtjen.

Në dy javët e fundit është konfirmuar vrasja e gjashtë kosovarëve në Siri. Njëri nga ata është shtetasi me iniciale F.S, 42 vjeç nga Prishtina. Familja e tij, e cila tashmë ka hapur dyert për mort, vetëm sa e konfirmoi këtë vdekje për çështje statistikash, pa dashur të flasë më shumë.

Lajmi për vrasjen e kosovarëve alarmoi edhe kryesinë e Bashkësisë Islame të Kosovës. Ky institucion ka ftuar të rinjtë kosovarë që në çfarëdo mënyre janë angazhuar në luftën në Siri të kthehen sa më parë pranë familjeve, duke kërkuar nga ata që të mos bien pre e grupeve dhe indivdëve që dëshirojnë të bëjnë “xhihad” me tragjedinë e popullit sirian.

Top Channel