ERMELINDA MEKSI – Dilemat mbi performancën e ekonomisë shqiptare gjatë
vitit 2014 janë shtuar me publikimin e fundit të INSTAT se tremujori i
tretë i vitit 2013 ka pasur ritme negative të rritjes së GDP pra rënie
ekonomike. Zbehja e funksioneve të institucioneve publike e reflektuar
me një rënie të fortë të të ardhurave rritja e pasigurive për biznesin
dhe rrudhja e konsumit/kërkesës(sipas indeksit të shitjes me pakicë)
mendoj se kanë qenë faktorët kryesorë që reflektuan një rritje të PBB në
vlerë negative për herë të parë që nga viti 1997.
Në fakt, disa ndjesi jopozitive mbi ritmin e rritjes kisha filluar t’i merrja prej kohësh duke parë nga jashtë, por edhe si “insider” shifrat e ekonomisë reale.
Por sigurisht me hyrjen e vitit 2014 nuk ka kohë për të “qarë” gropën financiare, rritjen e deficitit dhe borxhit, apo zbehjen e ritmit të rritjes ekonomike, por duhet drejtuar vëmendja në planin e rivitalizimit të ekonomisë dhe vendosjen mbi binarë të shëndoshë makroekonomikë, reformat drejt hapjes së tregjeve për konkurrencë, rritjen e dinamikës së tregut të punës, rritjen e konkurrueshmërisë dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë të disa degëve të ekonomisë ku ka investime të drejtpërdrejta të biznesit, vendas të barasvlefshëm me ato të huaja dhe impakti në tregun e punës është më i madh.
Këtu kam parasysh disa aktivitete që gjenerojnë punësim në shkallë të gjerë dhe të shtrirë në të gjithë vendin si industria e fasonit apo shërbimet telefonike të call center që megjithëse gjenerojnë paga nën minimumin ligjor, prapëseprapë kanë ndikim pozitiv në zbutjen e varfërisë(fasoni), punëzënien e të rinjve dhe për rrjedhojë rritjen e kërkesës së brendshme. Në kushtet kur qeveria paraardhëse la “rrugëve” investimet publike, për buxhetin e 2014 ishte e vështirë të programoje investime të mëdha të reja pa përfunduar ato që kishin nisur dhe për më tepër pa paguar ato pjesë që kishin përfunduar.
Rifillimi i punës në rrugën Tiranë-Elbasan menjëherë pas pagesës së kësteve të prapambetura tregon më së miri se sa të domosdoshme e ka ekonomia injeksionin e likuiditetit në drejtim të biznesit.
Kur ridiskutojmë për rrugën e rivitalizimit të ekonomisë duhet të referohemi modeleve më të mira të vendeve europiane duke i përshtatur me specifikat e ekonomisë shqiptare. Në fillim të këtij viti, Kryeministri italian, Enrico Letta, në shkrimin “Të bëjmë të ardhmen në Europë”, i referohet fokusit të BE që në vitin 2014 të kthehet te ekonomia reale sidomos te baza e saj industriale. Fokusi te industria e shërbimeve financiare e ka spostuar Europën, por edhe shumë vende, përfshirë dhe Shqipërinë nga industrializmi duke u lënë hapësira konkurruese vendeve të tjera.
Për te terhequr investimet private të huaja dhe të brendshme, duhet ndertuar nje program te posaçem per të ndihmuar kompanitë të kenë sukses, duke krijuar se pari një sistem të taksave më të parashikueshëm, reduktimin e burokracisë, si dhe duke siguruar zbatimin më efektiv të kontratave nepermjet forcimit te sistemit të drejtësisë. Një çeshtje me rendesi ne nivel te BE është konkurueshmeria e ekonomise se saj ,ku per te arritur kete synim në nivel global kerkohen investime me prioritet prodhimin industrial të ardhshëm: me objektiv efikasitetin e energjisë dhe inovacionit teknologjik.
Për të pasur sukses përtej kërkimit për zhvillim një ekonomi industriale ka nevojë për punonjës me aftësi të veçanta dhe niveli të lartë. Prandaj kërkohet që politika e BE-së të promovojnë edukimin dhe kjo mbetet një avantazh konkurrues i përbashkët për çdo vend. Një nga trashëgimitë më të dëmshme të krizës financiare ka qenë niveli i kreditimit të ekonomisë, ku në disa vende të BE, gjysma e të gjitha kërkesave për kredi janë refuzuar, ndërsa kostot e financimit kanë arritur nivele tepër të larta, që duhet adresuar me një politikë të përbashkët në BE.
Në konkluzione Kryeministri Letta sugjeron se riindustrializimi – së bashku me luftën kundër papunësisë së të rinjve – duhet të kryesojë axhendën e Europës në vitin 2014, me qëllim që të një sektori industrial të zërë 20% të PBB-së deri në vitin 2020.
I përmenda më lartë problematikat kryesore të ekonomisë europiane që Kryeministri italian sensibilizon për t’i adresuar, sepse nevoja e adresimit të këtyre problemeve për ekonominë shqiptare është akoma më kritike. Në Shqipëri ky raporti i prodhimit industrial ka arritur rreth 10%, por në të dominon industria nxjerrëse e naftës dhe mineraleve falë koncesioneve në këta sektorë vitet e fundit. Kjo shifër ku mbizotëron industria nxjerrëse, shfaq problematikën se nga pasuria jonë kombëtare ekonomia jonë përfiton shumë pak. Dhe industrializimi do të thotë rritje e shkallës së përpunimit të kësaj pasurie brenda vendit duke rritur vlerën e tyre në shitje njëkohësisht dhe punësimin. Shpresë për arritjen e synimeve jo vetëm për ekonominë evropiane, por edhe atë shqiptare është thellimi i integrimit brenda BE, si një nga rrugët e ndërtimit të një ekonomie moderne, të re dhe të begatë.
Sfidat për Shqipërinë
Pas këtij vizioni mësimet për ekonominë tonë janë edhe më të qarta, duke shpresuar se arritja e objektivave të diskutuara në Buxhetin e 2014 është vetem fillimi. Krijimi i një ambienti atraktiv ndaj biznesit, duke luftuar informalitetin dhe rritur konkurrueshmërinë, paralel me luftën ndaj korrupsionit në administratën fiskale, dhe forcimit të sistemit të drejtësisë janë parësore. Ato ecin paralel me konsolidimin e stabilitetit financiar të vendit që së bashku me stimulimin e kreditimit të ekonomisë dhe biznesit tonë drejt sektorëve prodhues që rrisin punësimin dhe vlerën e shtuar në ekonomi. Por sa më sipër kërkon të njëjtin mentalitet për t’u rritur edhe në biznesin shqiptar që nuk mund të arrijnë fitimet e dikurshme me rrugët e vjetra. Inovacioni ne cdo drejtim, është sfida per ekonomine tone nga të gjithë aktorët e saj. Por kjo nuk mundësohet pa një mentalitet të ri që kërkon me shumë dije si nga vendimmarrësit politike, administrata publike, biznesi etj.
Për ta sjellë diskutimin në specifikat e zhvillimit të Shqipërisë, mendoj se 5 janë shtyllat kryesore ku do të fokusohet zhvillimi i qëndrueshëm ekonomik.
Së pari, mendoj se duhet adresuar pa humbur kohë problemi i abuzimit me të drejtën e koncesioneve, i ngritur nga biznesi, problem që sjell rritjen e kostos së tij. Kjo nuk përjashton, por presupozon maturinë përkatëse
Së dyti, rritja e mëtejshme konkurrueshmërisë, nëpërmjet kushteve për funksionimin e konkurrencës do rriste të ardhurave buxhetore, veçanërisht në sektorët sensitivë, ku dhe abuzimet janë më të mëdha. Autoriteti i konkurrencës ka kërkuar prej vitesh ndarjen e furnizuesit publik me shumicë nga gjenerimi i energjisë elektrike, të cilat janë sot dy struktura në varësi KESH, pra rritjen e konkurrencës në prodhimin e importimin e energjisë elektrike. Kjo masë, nëse merret nga qeveria, do të shpinte në rritje të të ardhurave fiskale dhe do të rriste rentabilitetin e KESH dhe moskryerjen e investimeve jo rentabël.
Së treti, ka ardhur koha për evidenca statistikore të sakta dhe në kohë që t’i shërbejnë rivitalizimit të ekonomisë. P.sh sado e thjeshtë të duket publikimi i 100 produkteve kryesore të eksport – importit nga INSTAT për të pasur pamjen reale të ekonomisë, (që mund të realizohet pothuajse vetëm me një klikim), ajo mund të shërbejë për adresimin e zgjidhjen e problemeve të ndryshme dhe vëmendjen me politika stimuluese për sektorët që sjellin të ardhura. Kjo do evitonte situatën aktuale kur rriten eksportet, por jo të ardhurat buxhetore. Ose duke publikuar se sa ka qenë vlera e zhdoganimit të karburanteve në maj 2008, kur u rrit çmimi i biletave të transportit urban dhe abonentëve dhe sa është sot, e më pas dhe të çmimit me pakicë të tyre për efekt të ndryshimit të politikes fiskale, që kushdo të shohë se sa e bazuar është kërkesa e sindikatave të transportit urban për dyfishimin e çmimit të biletave të transportit urban dhe abonentëve.
Së katërti, problemi i borxheve prej 440 milionë dollarë i CEZ (OSSH), duhet të ndiqet me kujdes, duke i kërkuar ERE të publikojë nivelin e arkëtimeve dhe humbjeve për këtë institucion çdo muaj. Po kjo duhet ndjekur njësoj nga ERU për ujësjellësit. Publikimi mujor i humbjeve dhe arkëtimeve të energjisë elektrike, jo vetëm në tërësi, por dhe sipas qarqeve, rretheve, biznesit, familjarëve dhe rritjes se borxhit të OSSH-CEZ, do ndihmonte për përshpejtimin dhe ndërmarrjen e reformave adekuate në sektorin e energjisë elektrike
Së pesti, për të zvogëluar informalitetin, Instituti i Sigurimeve Shoqërore duhet të botojë të dhënat për sigurimet shoqërore në fshat, konkretisht numrin e të punësuarve dhe të atyre që paguajnë sigurime shoqërore, që të mos kemi shifra si ajo e vitit 2012 ku nga 522 mijë të punësuar, vetëm 168 mijë ishin të siguruar 2012. Kjo do sillte rritjen e të ardhurave nga ky institucion, por dhe adresimin e duhur të referimit të pensioneve, jo duke rritur moshën, por duke lidhur masën e përfitimit të tij me kontributin e dhënë.
Si konkluzion
Pas një periudhe të ngërçit fiskal, rënies së fortë të kreditimit, rritjes së borxhit dhe problemeve të likuiditetit në sistem, plani i veprimit në konsultim me FMN, por edhe faktorët e interesit sidomos biznesin, duhet të sigurojnë një mjedis atraktiv për investime, sidomos ato direkte. Vetëm në këtë mënyrë do të sigurohet një rritje ekonomike e qëndrueshme dhe mbi nivelet 1-2 për qind sa parashikohet të ishte për vitin që lamë pas.
Gazeta “Shqip”
Top Channel