Heynckes, trajneri më i mirë i 2013-s

13/01/2014 20:05

Jupp Heynckes, njeriu që udhëhoqi Bajernin drejt një triplete historike në sezonin e shkuar, u shpall Trajneri më i Mirë i 2013-s nga FIFA, në një ceremoni të zhvilluar mbrëmjen e së hënës në Zyrih, Zvicër.

Ndonëse drejtoi Bajernin vetëm në gjysmën e parë të sezonit, për të dalë më pas në pension, udhëheqja e suksesshme e 68-vjeçarit në Champions League, Bundesligë dhe Kupën e Gjermanisë, e lejoi atë që të lërë pas dy rivalët kryesore, trajnerin e Borussias së mposhtur në finalen e “Wembley”, Jurgen Klopp dhe ish-trajnerin e Manchester United, Sir Alex Ferguson.

Në fjalën e tij, Heynckes falenderoi të gjithë stafin që dha kontributin e tij në arritjen e tripletës historike. “Ndihem shumë krenar dhe i prekur nga fakti që ndodhem këtu për të marrë këtë çmim, që do të thotë jashtëzakonisht shumë në fundin e karrierës sime. Megjithatë, ky është një çmim edhe për të gjithë ata persona që punojnë në mënyrë të përditshme për Bajernin, për lojtarët dhe drejtuesit e klubit”, tha Heynckes.

“Dua të falenderoj të gjithë ata që më lejuan që të fitoj këtë çmim, të cilin nuk do të kisha mundur kurrë ta bëja timin pa mbështetjen e të gjithëve dhe besimin e klubit në radhë të parë”, shtoi dy herë fituesi i Champions League si trajner, herën e parë në drejtimin e Realit.

Me suksesin e tij, Heynckes pason Vicente del Bosque, i cili meritoi titullin ne vitin 2012.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA