SHBA, protestë për Guantanamon

12/01/2014 00:00

Premtimet e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, për mbylljen e burgut të Guantanamos përsëriten që prej 2009-s, por deri më tani asnjëri prej tyre nuk është bërë realitet.

Dosjet e fshehta tregojnë se 759 të dyshuar janë mbajtur në burgun famëkeq, që prej hapjes së tij në vitin 2002, pa u ngritur zyrtarisht ndonjë aktpadi.

Mes të burgosurve kishte edhe pleq, – thotë “The Guardian”, – të mitur e të sëmurë mendorë. Sot, në këtë kamp vazhdojnë të mbeten 155 vetë.

Grupe aktivistësh amerikanë shfrytëzuan 12-vjetorin e krijimit të burgut, për të protestuar përpara Shtëpisë së Bardhë me pankarta në duar, ku kërkohej mbyllja e tij.

“Guantanamo është deri diku i famshëm për torturat e tij. Shumica e të burgosurve janë shpallur të pafajshëm nga gjykatat, kështu që s’ka më kuptim të mbahen në kamp. Procese të rregullta gjyqësore nuk do të kenë. Disa prej këtyre njerëzve ndodhen në Guantanamo prej 12 vjetësh dhe tani duhet të kthehen pranë familjeve të tyre”, tha një protestues.

Protestuesit argumentojnë se presidenti nuk e justifikon dot më ekzistencën e kampit, me faktin që i ka duart të lidhura nga Kongresi. Një projektligj i mbrojtjes, i firmosur kohët e fundit, lehtëson procesin e transferimit të të burgosurve nga qendra në fjalë.

Në 2002-shin, një numër i madh të dyshuarish për terrorizëm u kapën në Afganistan. T’i mbash njerëzit të burgosur pa gjyq, në Shtetet e Bashkuara është e paligjshme, ndaj të ndaluarit u dërguan në kampin e bazës detare amerikane të “Guantanamo Bay”-t, në Kubë, ku veprimet e SHBA-ve nuk kanë përse i raportohen ndonjë gjykate të brendshme apo ndërkombëtare, duke qenë se baza funksionon jashtë juridiksionit territorial.

Qeveria amerikane ka shpenzuar 150 milionë dollarë në vit, për të garantuar sigurinë e të burgosurve, apo 900,000 dollarë mesatarisht për secilin prej tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA