Izrael, zi kombëtare për Ariel Sharon

12/01/2014 09:00

Izraeli është të dielën në ditë zie kombëtare, në nder të ish-kryeministrit Ariel Sharon, i cili ndërroi jetë më parë gjatë javës në moshën 85-vjeçare.

Sharon ndodhej prej tetë vitesh në gjendje kome në një spital izraelit, pasi ishte goditur nga një hemoragji celebrale.

Për izraelitët, Sharon është një prej burrave të shtetit që ka meritën kryesore në konsolidimin e shtetit të tyre.

Një këndvështrim tërësisht të ndryshëm kanë palestinezët, të cilët në një deklaratë theksuan se “ndonëse nuk marrin gëzim nga vdekja e askujt, Sharon i kishte duart të mbuluara me gjak”.

Ariel Sharon ishte kryeministri i 11 i Izraelit. Një veteran i dhjetra betejave në radhët e ushtrisë izraelite, ku madje edhe është plagosur rëndë, ai ndërtoi figurën e një lideri karizmatik dhe ngjiti shkallët e politikës gradualisht deri kur më 7 mars të vitit 2001 erdhi në pushtet ku qëndroi deri më 4 janar të 2006-ës, kur u godit nga sëmundja dhe ra në koma.

Një partizan i pajtimit dhe shuarjes së konflikteve në Lindjen e Mesme, pak muaj para rënies në koma, ai u shkëput nga partia Likud dhe formoi Kadiman, pas kritikave të ashpra që mori për qëndrimin e zbutur ndaj palestinezëve dhe sidomos për tërheqjen nga ndërtimet kolone në Bregun Perëndimor.

Sëmundjen e tij mjekët ia faturuan shëndetit të tepërt. Që prej 1980 ai vuante nga obeziteti, madje edhe bënte shaka me të sa në një rast në një deklaratë publike tha: “Unë e dua jetën, por më shumë dua ushqimin”.

Sharon do të varroset ditën e Hënë, në atë që do të jetë një ceremoni funerale private, e organizuar prej familjarëve të tij.

Top Channel