Në Bruksel kanë filluar bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Ivica
Daçiç, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian,
baroneshës Catherine Ashton, pritet të bisedojnë për çështjen e
sistemit të drejtësisë në veri të Kosovës.

Prishtina zyrtare insiston që të vendoset “një sistem unik në funksionimin e institucioneve të drejtësisë në veriun e vendit”.

Një qëndrim të këtillë e ka shprehur edhe sot zoti Thaçi, duke thënë se “sot vazhdojnë bisedimet për sistemin e drejtësisë në veri të vendit, i cili duhet të funksionojë sipas Kushteve dhe ligjeve në fuqi të Republikës së Kosovës”.

Autoritetet në Beograd ndërkaq insistojnë që “zgjidhja të jetë praktike dhe të ketë për bazë veçantinë e katër komunave në veri”.

Në një deklaratë të mëhershme, dhënë televizionit serb, RTS, Daçiç ka deklaruar se Beogradi “ka shpalosur rekomandimet e veta të kompromisit. “Nuk e di se çfarë mund të bëjmë më shumë”, pati deklaruar Daçiç.

Ndryshe, ky është raundi i dytë për këtë vit. I pari, i mbajtur më 27 janar, përfundoi pa marrëveshje.Këto bisedime po mbahen në kuadër të marrëveshjes së arritur më 19 prill ndërmjet dy vendeve për normalizimin e raporteve midis tyre.

Top Channel