Ukrainë, plagoset ish-ministri i Mbrojtjes

11/01/2014 00:00

Dhjetra persona janë plagosur në përplasjet mes protestuesve dhe policisë në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.

Ish-ministri i Brendshëm dhe një nga figurat kryesore të opozitës, Yuriy Lutsenko, raportohet të jetë mes të plagosurve.

Dhuna shpërtheu pasi 3 aktivistë u burgosën më herët gjatë së premtes, për shkak të dyshimeve për komplot terrorist.

Trazirat vazhdojnë të jenë të pranishme në qytetet ukrainase, që pas tubimeve masive anti-qeveritare, që nisën pas vendimit të qeverisë së Ukrainës për të refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes historike me Bashkimin Europian.

Në vend të MSA-së dhe tregtisë së lirë me BE-në, presidenti Viktor Yanukovych nënshkroi një marrëveshje me Rusinë në Dhjetor, sipas së cilës është ulur ndjeshëm çmimi i importit të gazit nga Rusia.

Përplasjet në orët e para të së shtunës ndodhën jashtë një gjykate në Kiev, ku një turmë e madhe u mblodh për të mësuar verdiktin e gjyqit ndaj anëtarëve të një organizate të ekstremit të djathtë.

Tri ultra-nacionalistëve iu dha dënimi me 6 vjet burgim gjatë së premtes, me akuzën e komplotit për të rrëzuar statujën e komunistit revolucionar, Vladimir Lenin, në vitin 2011.

Ekstremi i djathtë ka luajtur një rol aktiv në lëvizjen pro-europiane në Ukrainë, gjë të cilën ata e konsiderojnë si një kundërbalancë të influencës ruse në vendin e tyre.

Ukraina po përballet me protestat më masive, që prej Revolucionit Portokalli të vitit 2004.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA