SHBA, emrat e “fajtorëve” të Bengazit

11/01/2014 00:00

Shtetet e Bashkuara kanë shtuar në “listën e zezë” edhe dy grupe të armatosura libiane, të cilat akuzohen për organizimin e sulmit të vitit 2012 ndaj misionit diplomatik amerikan në Bengazi, ku mbeti i vrarë ambasadori dhe 3 shtetas të tjerë amerikanë.

Njoftimi i së premtes ishte i pari, që SHBA-të kanë bërë të ditur emrin e grupeve përgjegjëse, por Departamenti i Shtetit këmbëngul se kjo nuk do të thotë se ata janë të vetmit përgjegjës, apo që ka pasur informacion të ri.

Dy grupe të Ansar al-Sharia u formuan veçmas në Bengazi dhe Derna gjatë vitit 2011, pas rënies së Muammar Gadaffi-t, dhe të dyja ishin etiketuar si organizata të huaja terroriste.

DASH bëri të ditur se grupet “ishin përfshirë në sulme terroriste ndaj objektivave civile, vrasje të shpeshta dhe tentativa për vrasjen e zyrtarëve të sigurisë apo aktorëve të politikës në lindje të Libisë, si dhe në sulmet e 11 Shtatorit 2012 ndaj misionit special amerikan në Bengazi”.

Anëtarë të të dy organizatave vazhdojnë të përbëjnë kërcënim ndaj interesave amerikane në Libi”, thuhej në deklaratën e DASH.

Ahmed Abu Khattalah, një lider i rëndësishëm i Ansar al-Sharia në Bengazi, dhe Sufian bin Qumu, një ish-i burgosur në Guantanamo dhe lider i grupit Derna, janë etiketuar si “terroristë globalë”.

Ambasadori Chris Stevens dhe 3 amerikanë të tjerë të stafit u vranë, kur luftëtarë të armatosur sulmuan misionin amerikan në Bengazi, e më pas sulmuan një ndërtesë të CIA-s pranë tij.

Deri më tani, asnjë akuzë nuk është bërë formalisht, si dhe askush nuk është arrestuar, pas një hetimi që po kryesohet nga FBI, por një shpërblim prej 10 milionë dollarë është ofruar për çdo informacion që do të çojë në arrestimin e agresorëve.

“Njoftimi i sotëm nuk është një përcaktim se Ansar al-Sharia në Bengazi dhe Ansar al-Sharia në Derna janë dy organizatat e vetme, anëtarët e të cilave janë përfshirë në sulmin në Bengazi”, tha zëdhënësja e DASH, Jen Psaki.

Qumu u transferua nga Guantanamo drejt Libisë në vitin 2007 e më pas u lirua nga burgu. SHBA-të njoftuan më herët, gjatë së premtes, se po organizojnë një program trajnimi për mijëra ushtarë libianë në vijim të këtij viti, për të rritur sigurinë në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA