Paditet guvernatori i Nju Xhersit

11/01/2014 00:00

Ndjesa publike dhe shkarkimi i këshilltares së tij, e cila orkestroi bllokimin e trafikut në dy korsi të urës “George Washington”, shtatorin e vitit të kaluar për hakmarrje politike, nuk i mjaftuan Guvernatorit të Nju Xhersit, Chris Christie që të shmangte një padi ligjore.

Gjashtë qytetarë të Nju Xhersit dorëzuan në një padi ndaj guvernatorit. Avokatja Rosemarie Arnold, përfaqësuesja e paditësve tha se bllokimi i urës përvecse u kishte shkaktuar vonesë në punë klientëve të saj, kishte patur edhe ndikim në shëndetin e tyre, duke shkaktuar panik, madje njëri kishte pësuar edhe atak kardiak.

Christie, që shihej si kandidati i mundshëm i republikanëve në zgjedhjet presidenciale të 2016-s, kërkoi ndjesë për skandalin që, siç tha, e kishte “poshtëruar”.

“Ndihem i fyer dhe thellësisht i prekur, kur mësova se isha keqinformuar nga pjesëtarët e stafit tim, por kjo sjellje krejtësisht e gabuar ishte bërë pa dijeninë time. Kjo sjellje, në asnjë mënyrë nuk më përfaqëson mua apo administratën time, dhe njerëzit do të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre”, tha Christie.

E gjitha ishte bërë për të ndëshkuar bashkiakun demokrat, i cili nuk kishte përkrahur rizgjedhjen e Guvernatorit të Nju Xhersit. Christie mohoi të kishte dijeni për skandalin, duke thënë se ishte keqinformuar.

Në email-et, që u bënë publike nga media amerikane, këshilltarja e Christie-t, Bridget Anne Kelly, shkruante më 13 gusht: “Ka ardhur koha për disa probleme me trafikun në Fort Lee”.

“Mesazhi u mor, – i përgjigjej David Wildstein, të cilin guvernatori e kishte caktuar në krye të Autoritetit Portual të Nju Jorkut dhe Nju Xhersit, i cili kontrollonte edhe urën “George Washington”. Pas këtij shkëmbimi elektronik, më 9 shtator, 2 nga 3 korsitë e urës që të çon në Nju Jork u mbyllën për disa ditë.

Zyrtarët e zyrës së Guvernatorit dhe Autoritetit Portual shpjeguan më vonë se “vendimi ishte pjesë e një studimi mbi trafikun”. Mbyllja e dy korsive shkaktoi probleme të shumta në qytetin Fort Lee, ku bashkiaku Mark Sokolich nuk kishte përkrahur rizgjedhjen e Christie-t, vjeshtën e vitit 2012.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA