India zbut përplasjen me SHBA

11/01/2014 00:00

Ministri i Jashtëm i Indisë, Salman Khurshid u përpoq të zvogëlonte përplasjen me Uashingtonin për diplomaten indiane të arrestuar në Shtetet e Bashkuara.

“Nuk ka asnjë situatë bllokimi me Shtetet e Bashkuara dhe problemet do të zgjidhen”, u tha ai gazetarëve në Nju Delhi.

Gjithçka nisi pasi diplomatja Devijani Kobragade u arrestua në Nju Jork, e akuzuar për mashtrim me vizën dhe pagesë të ulët për shërbyesen e saj.

Asaj iu kërkua të lërë Shtetet e Bashkuara sepse përplasja diplomatike po bëhej më e fortë. Kobragade mbërriti në Indi ditën e shtunë.

Nga ana tjetër, SHBA konfirmuan se një zyrtar amerikan do të lërë ambasadën në Delhi pas kërkesës së autoriteteve indiane. Kjo u cilësua nga Khurshid si “dëbim”.

“Ne kemi arsyet tona dhe kemi informuar Shtetet e Bashkuara për këtë. Ne jemi në kontakt me Uashingtonin dhe do të bëjmë atë që duhet bërë. Nuk mendoj se ka më vend për diskutime”, deklaroi Khurshid.

Nga ana e tij Uashingtoni zyrtar shprehu keqardhjen për lëvizjen por deklaroi se shpreson se ajo do të mbyllë debatin dhe do të çojë në kthimin normal të marrëdhënieve.

Emri i diplomatit të dëbuar nuk është bërë publik. Burime në kushte anonimati thanë për agjencinë e lajmeve “AFP”, se personi në fjalë ka një gradë analoge me atë të zonjës Kobragade dhe është përfshirë në çështjen e saj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA