
Presidenti francez Francois Hollande po ndodhet gjithnjë e më shumë nën presion për të sqaruar gjendjen e tij personale, pasi revista “Closer” publikoi një lidhje të fshehtë mes tij dhe aktores Julie Gayet.
Presidenti do të bëjë një njoftim të rëndësishëm politik ditën e martë dhe druhet se qëllimi i fjalimit të tij mund të errësohet nga thashethemet. Një gazetë franceze shkruante se lajmi ishte “katastrofik” në të gjitha aspektet për presidentin.
Nga ana e tij, zoti Hollande deklaroi se publikimi i atij lajmi ishte një sulm ndaj të drejtës për privatësi. Ai shtoi se mund të padisë revistën, por nuk e mohoi marrëdhënien me aktoren.
Konferenca e shtypit e javës së ardhshme ka si qëllim prezantimin e programin ekonomik të presidentit për vitin e ri, me publikimin e detajeve me anë të të cilave do të nxitet rritja ekonomike dhe do të krijohen vende pune.
Korrespondenti i BBC në Paris thotë se zoti Hollande mund të detyrohet të bëjë ndonjë deklaratë zyrtare në lidhje me pozitën e tij personale, në mënyrë që të shtrojë terrenin për të martën.
Atij mund t’i pëlqeje të mendojë se dashuria është pjesë e jetës së tij private, por tani që afera është publikuar, ai duhet të japë shpjegime se si qëndrojnë punët, thotë korrespondenti.
Pyetjet kyçe janë nëse ai është vërtetë i lidhur me aktoren Julie Gayet dhe nëse po, çfarë do të ndodhë me partneren e tij Valerie Trieweiler, e cila jeton me të në pallatin Elize.
Gjithashtu, një tjetër pyetje është: kush do ta shoqërojë presidentin në vizitën e tij zyrtare në Shtetet e Bashkuara, e parashikuar për muajin e ardhshëm.
Top Channel