Dërgohen ftesat për asambleistët shqiptarë për mbledhjen inauguruese të Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore dhe të dy komunave të tjera, Zvecan dhe Zubin Potok.

Në ftesa nuk ka vulë apo logo të Republikës së Kosovës dhe ashtu sic ishte paralajmëruar ato përmbajnë vetëm njoftimin për mbajtjen e mbledhjes të premten. Seanca inauguruese pritet të nisë në ora 11:00 nesër dhe do të zhvillohet në objektin e ish-administratës së UNMIKU-t.

Këto informacione i bëri të ditura për Top Channel shefja e Zyrës Administrative në veri Adriana Hoxhiq, njëherësh asambleiste e Komunës së re nga radhët e komunitetit boshnjak.

Ajo tha nëpërmjet telefonit se ftesat janë sjellë sot pasdite nga zyra e kryetarit serb Kërstimir Pantiç dhe se për shkaqe teknike, pasi vet Hoxhiq ndodhet në Prishtinë, ende nuk u janë shpërndarë asambleistëve shqiptarë.

Në një bisedë me telefon, asambleisti shqiptar Emir Azemi tha se delegatët shqiptarë, pesë të Mitrovicës Veriore dhe të tjerët në Zvecan dhe Zubin Potok do ta bojkotojnë seancën pasi nuk janë plotësuar kërkesat ligjore.

“Kompromis me simbolet e shtetit nuk ka”, deklaroi nëpërmjet telefonit asambleisti i PDK-së në Komunën e Mitrovicës Veriore.

Ai tregoi se një përfaqësues politik i EULEX-it i ka takuar për këtë cështje dhe ka shprehur habinë me zhvillimet. Burime zyrtare brenda qeverisë së Kosovës ndërkaq thonë se as në Bruksel zëvendëskryeministrja Edita Tahiri deri më tani nuk është pajtuar me palën serbe për sa i përket mënyrës së betimit të kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe.

11 janari është afati i fundit ligjor kur kryetarët serb duhet ta bëjnë betimin për kryetarë komunash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA