Shtëpia e Bardhë mbron Biden nga kritikat

09/01/2014 00:00

Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë kanë dalë në mbrojtje të zv/presidentit amerikan, Joe Biden, pas sulmeve të ashpra nga ish-Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Robert Gates.

Në autobiografinë e tij, të publikuar së fundi, Gates kritikonte Biden, ashtu si dhe presidentin amerikan, Barack Obama, për vendimet e politikës së jashtme.

Sekretari për Shtypin, në Shtëpinë e Bardhë, Jay Carney, e përshkroi Biden si një “udhëheqës shtetar”, gjatë së mërkurës. Gates ka qenë shef i Pentagonit nën udhëheqjen e dy presidentëve, George Bush dhe Obama.

Obama dhe Biden janë fotografuar së bashku, teksa darkonin në Shtëpinë e Bardhë, të mërkurën, në atë që konsiderohet gjerësisht si një shfaqje e qëllimshme e mbështetjes ndaj njëri-tjetrit.

Biden “ka qenë një konsulent i shkëlqyer dhe një këshilltar për presidentin gjatë 5 viteve të fundit”, tha Carney për reporterët, duke shtuar se Obama nuk ndan të njëjtin vlerësim si Gates.

Në autobiografinë e tij, “Kujtimet e një Sekretari në Luftë”, Gates shkruan se Biden ka “gabuar thuajse në çdo politikë madhore të jashtme, si dhe çështje të sigurisë kombëtare gjatë 4 dekadave të fundit”.

Ai kritikon ashpër gjithashtu edhe trajtimin e luftës në Afganistan nga Obama, duke shkruar se lideri amerikan ishte skeptik për suksesin e strategjisë afgane të administratës së tij.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta