Rusi, operacion masiv anti-terror

09/01/2014 00:00

Forcat ruse të sigurisë, në kuadër të një operacioni të gjerë
anti-terror, janë vendosur në një zonë rreth 300 KM në lindje të
Soçit, ku muajin e ardhshëm do të mbahen Lojrat Dimërore.

Operacioni vjen pas zbulimit të trupave të pesë personave në katër makina në rajonin e Stavropolit, të cilët ishin qëlluar për vdekje me armë zjarri. Policia deklaroi se kur hetuesit u afruan tek automjetet, një bombë artizanale shpërtheu por pa lënduar njeri.

Autoritetet ruse kanë përforcuar tashmë masat e sigurisë në resortin e Detit të Zi për të garantuar një zhvillim të qetë të Lojrave Dimërore. Rreth 37 mijë policë dhe trupa speciale të Ministrisë së Brendshme janë vendosur për garantimin e sigurisë gjatë evenimentit, që do të ngrejë siparin më 7 shkurt.

Shqetësimi kryesor vjen nga kërcënimet për sulme terroriste të militantëve islamikë nga rajonet e Kaukazit Verior. Personi më i kërkuar në Rusi, lideri i rebelëve çeçenë Doku Umarov, u ka bërë thirrje luftëtarëve të tij që të shënjestrojnë Lojrat Dimërore.

Korrespondenti i BBC në Moskë deklaron se atentatet e ndodhura më 29 dhe 30 dhjetor në Volgograd kanë shtuar shqetësimet e administratës ruse. Hetuesit janë të bindur se autorë të këtyre sulmeve ishin dy burra që kishin ardhur në qytet pikërisht nga rajoni i trazuar i Kaukazit të Veriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB