Ish-presidenti i Kubës, Fidel Castro, është shfaqur në publik për herë të parë pas 9 muajsh.
Castro, 87 vjeç, ishte pjesëmarrës në hapjen e një studioje arti në kryeqytetin kubanez të Havanës, gjatë mbrëmjes së të mërkurës.
Fotot e publikuara të enjten tregojnë Castro-n disi të dobësuar, duke ecur me një shkop në duar dhe duke parë punimet e artit.
Fidel Castro udhëhoqi Kubën për afro gjysmë shekulli, përpara se t’ia transferonte pushtetin vëllait të tij, Raul, në vitin 2006, për shkak të përkeqësimit të shëndetit. Që prej atëherë, Fidel ka dalë shumë rrallë në publik, vetëm në disa raste sporadike.
Herën e fundit që kishte dalë publikisht ka qenë më 9 Prill të vitit të kaluar, kur mori pjesë në inaugurimin e një shkolle në Havana.
Foto të ish-liderit kubanez ishin parë për herë të fundit në dhjetor, pas një takimi privat me presidentin venezuelian, Nicolas Maduro, një aleat kyç i Kubës në rajon, i cili kishte vizituar vendin ishullor.
Top Channel