
Kompania shpërndarëse e energjisë në Kosovë, KEDS ka hedhur poshtë
akuzat se ka bërë rritje të qëllimshme të faturave të energjisë
elektrike.
Sipas raportimeve të gazetës “Express”, disa zyrtarë të saj u përgjigjën në një konferencë për shtyp rreth shqetësimeve të konsumatorëve, të cilat u ngritën pas rritjes së faturave të energjisë për muajin dhjetor.
Guri Shkodra, zyrtar për informim në KEDS tha se muajt e ftohtë dhe festat e fundvitit kanë rezultuar me rritje të konsumit, gjë që ka ndikuar dhe me ngritjen e faturave për konsumatorët.
Megjithatë, ai pohoi se falë mobilizimit të grupit të punës brenda KEDS-it do të shqyrtohen të gjitha ankesat në një afat kohor prej 15 ditësh dhe se konsumatorët që kanë paraqitur ankesë nuk do të përjashtohen nga rrjeti i furnizimit me energji.
Zoti Shkodra tha se KEDS është gjithmonë i mobilizuar për lexim të drejtë të matësve, duke theksuar se kjo kompani nuk bën fryrje të qëllimshme të faturave.
“Fatkeqësisht, fjala “fryjnë faturat” për ne ka një konotacion negativ. Për më shumë, KEDS-i nuk fryn fatura dhe nuk bën rritje të qëllimshme të tyre. KEDS respekton rregullat, blloqet tarifore, sistemin tarifor të Republikës së Kosovës dhe të gjithë konsumatorët faturohen në bazë të këtyre proçedurave”, tha Shkodra.
Zyrtari nuk dha një numër të saktë të ankesave të bëra gjatë këtyre ditëve, duke pohuar vetëm se numri i tyre është në rritje, gjë që ndodh gjithmonë në sezonin kur temperaturat bien. Gjithësesi, ai shtoi se edhe KEDS është pro reformimit të strukturës tarifore.
Top Channel