Kanada, konfirmohet rasti i parë me H5N1

09/01/2014 00:00

Zyrtarë kanadezë të Shëndetësisë kanë konfirmuar rastin e parë fatal të njohur në Amerikën e Veriut, të shkaktuar nga gripi i shpendëve H5N1.

Ministrja kanadeze e Shëndetësisë, Rona Ambrose, tha se personi që ka ndërruar jetë ishte rezident në Alberta, i cili sapo ishte kthyer nga një udhëtim në Pekin.

Duke e quajtur vdekjen si “një rast të izoluar”, Ambrose tha se rreziku ndaj popullsisë në përgjithësi është i ulët. 10 persona kanë vdekur në Alberta këtë sezon nga gripi i derrave, apo H1N1.

H5N1 infekton rrugët e poshtme respiratore, shumë pranë mushkërive, ku dhe mund të shkaktojë pneumoni vdekjeprurëse.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (WHO) bën të ditur se është e vështirë të transmetohet virusi nga njeriu te njeriu, por kur njerëzit infektohen përqindja e vdekshmërisë është rreth 60%.

Në incidentin e fundit, personi i infektuar shfaqi simptoma të gripit gjatë një fluturimi me “Air Canada” nga Pekini drejt Vancouver-it, më 27 Dhjetor, bëjnë të ditur zyrtarët.

Pasagjeri vijoi më tej drejt Edmonton dhe më 1 Janar është shtruar në spital, ku dhe ndërroi jetë 2 ditë më vonë.

Zyrtarët federalë kanadezë të shëndetësisë thanë se nuk do të bënin identifikimin e seksit, moshës apo profesionit të pacientit në fjalë. Ambrose tha se zyrtarët kanadezë janë duke punuar me autoritetet kineze mbi këtë rast.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta