
Të paktën pesë persona kanë humbur jetën në një shpërthim të ndodhur në
një fabrikë lëndësh kimike në zonën qendrore të Japonisë.
Lajmin e bëjnë të ditur mediat ndërkombëtare, sipas të cilave shpërthimi ndodhi në një impiant të menaxhuar nga kompania e njohur “Mitsubishi Materials”, në qytetin Jokaiçi, në prefekturën Mie.
Një ekip punëtorësh po punonte në një furrnaltë të përdorur për prodhimin e produkteve të silikonit në momentin e shpërthimit.
Një zëdhënës i impiantit tha për agjencinë e lajmeve “AFP” se të paktën 12 persona të tjerë kanë mbetur të plagosur nga ngjarja.
Ndërsa një zëdhënës policie tha veçmas se impianti i kompanisë prestigjoze merret edhe me prodhimin e paneleve diellore dhe përpunimin e lëndëve kimike si polimer, hidrogjen dhe klor.
“Shpërthimi ndodhi, por në impiant nuk duket të ketë rënë ndonjë zjarr”, deklaroi zëdhënësi, pa dhënë detaje të tjera.
“Mitsubishi Materials” prodhon automjete, si dhe produkte elektronike e ndërtimi. Impianti i Jokaiçit, që ndodhet rreth 350 kilometra në perëndim të kryeqytetit Tokio, është i specializuar në prodhimin e silikonit.
Kompania, që për vitin e kaluar fiksal regjistroi shitje me vlerë 12.2 miliardë dollarë, ka mbi 22 mijë punonjës dhe vepron në mbarë globin, përfshirë këtu vende si Shtetet e Bashkuara, Brazili, Gjermania dhe India.
Top Channel