
FMN i ka tërhequr vërejtjen qeverisë së Kosovës se rritja e planifikuar e
pagave për sektorin publik gjatë vitit 2014 është e rrezikshme për
stabilitetin makroekonomik të vendit.
Sipas gazetës “Tribuna”, ky institucion ndërkombëtar ka kërkuar që të mos merren veprime të nxituara dhe të pamenduara elektorale.
“Me një vendim të pamatur të kryeministrit Thaçi gjithçka mund të përmbyset. Rritja ekonomike, ndërtimi i autostradës Prishtinë-Shkup, ambjenti i biznesit dhe shumë projekte të mëdha, që në një plan afatgjatë mund të kenë efekt pozitiv në ekonominë e vendit, mund të vihen në rrezik”, shkruan gazeta duke analizuar sugjerimet e FMN.
Më herët gjatë muajit qeveria e Kosovës u zotua në mbledhjen e saj se gjatë vitit 2014 do të ketë rritje të pagave, por pa saktësuar përqindjen e rritjes.
Se sa do të jetë kjo ngritje e pagave për të gjithë shërbyesit në institucionet e Kosovës si arsim, shëndetësi, polici, FSK, e të gjitha nivelet tjera, nuk e tregoi as ministri i Financave, Besim Beqaj, i cili tha vetëm se ajo do jetë në bazë të meritave.
Ndërsa në projektbuxhetin për vitin 2014 parashikohen 484 milionë euro në llogarinë e pagave, që janë 45 milionë më shumë sesa vitin e kaluar që ishin 439 milionë për paga.
Top Channel