
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, e vlerësoi me nota pozitive punën e qeverisë së tij në dy mandatet e qeverisjes me Kosovën.
Dialogu me Serbinë dhe marrëveshja e 19 Prillit, është padyshim suksesi me të cilin mburret kryeministri kosovar.
Pretendim mbetet anëtarësimi në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Thaçi tha se ky proces i dialogut perfundimisht çimentoi integretin territorial te Kosovës dhe mundësoi shtrirjen e sovranitetit në gjithë vendin.
“25 Korriku 2011 është dita e bashkimit territorial të Republikës së Kosovës. Sot, rezultatet e dialogut bënë të mundur integrimin e banorëve të Veriut në jeten institucionale të Kosovës. Rezultatet çimentuan integritetin territorial të Kosovës dhe mundësuan shtrirjen e sovranitetin në të gjithë vendin. Natyrisht, kërkohet edhe më tepër për zbatimin e marrëveshjes dhe në këte drejtim falenderoj partnerët ndërkombëtarë për marrëveshjen unike. Dialogu solli mbështetjen e komunitetit ndëkombëtar, e Kosova është më afër BE-së dhe NATO-s”, nënvizoi kryeministri.
Kryeministri Thaçi nënvizoi se rezultatet e prodhuara nga dialogu me Serbinë janë të gjithanshme. Ai përmendi anëtarësimin e Kosovës ne organizata rajonale, ku Kosova, siç tha Thaçi, flet për vete dhe nënshkruan për vete si dhe marrëveshjen për stabilizim-asocim, por pa harruar këtu edhe njohjen e diplomave universitare nga Serbia, numri i të cilave ka arritur në 300. Sipas kryeministrit Thaçi, Serbia “de facto” e ka njohur Kosovën me marrëveshjen për menaxhimin e integruar të kufirit.
Zhvillimi ekonomik i Kosovës është misioni i ri i qeverisë Thaci dy. “Ne do të nisim një kapitull të shpejtë të zhvillimit ekonomik. Një nga pikat kryesore që jemi fokusuar që duhet të punojmë është konsolidimi i sundimit të ligjit, duke mundësuar, respektimin e pronës private dhe zbatimin e kontratës. Ne po nxjerrim ligje moderne dhe çdo ligj është i koordinuar me BE-në. Ka qenë një luftë e pakompromis kundër korruspsionit. Ne do të synojmë që të nxisim sipërmarrjen private dhe investimet e huaja. Në këtë mision, ne do të përqendrohemi te nxitja e prodhimit vendor, duke u nisur me ato prodhime që zvogëlojnë importin dhe deficitin tregtar”, deklaroi Thaçi.
Premtimet, të cilat qeveria e drejtuar nga Hashim Thaçi nuk mundi t’i realizojë në këto gjashtë vjet, siç janë liberalizimi i vizave, furnizimi 24 orë me energji elektrike apo shndërrimi i FSK-së në ushtri, u kaluan me nga dy tre fjali premtuese për të ardhmen. Edhe këtë herë numri një i qeverisë theksoi domosdoshmërinë e ardhjes së një misioni të huaj për zgjidhur problemet e reformës zgjedhore.
Pjesë e përmbledhjes së punës 6-vjeçare dhe meritë e saj, ishte anëtarësimi i Kosovës në Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe edhe procesi i njohjeve ndërkombëtare. 104 shtete gjithsej e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Top Channel