Britani, vrasja e 29-vjeçarit, e ligjshme

09/01/2014 00:00

Një juri gjyqësore, që mori në shqyrtim vdekjen e Mark Duggan, vrasja nga policia e të cilit nxiti trazira të shumta në Angli, 2 vite më parë, doli gjatë së mërkurës në konkluzionin se vrasja e tij ishte kryer bazuar mbi ligjin.

29-vjeçari, baba i 4 fëmijëve, u qëllua nga oficerët e policisë, të cilën ndaluan taksinë me të cilën po udhëtonte ai, në Tottenham, në veri të Londrës, gjatë Gushtit 2011.

Vdekja e tij nxiti protesta, që degjeneruan në trazira dhe grabitje në Londër, por që u përhapën edhe në qytete të tjera, në ato që mund të konsiderohen si shqetësimet më të mëdha në vend prej dekadash të tëra.

Juria e Gjykatave Mbretërore të Drejtësisë në Londër doli në përfundimin se vrasja ishte e ligjshme, pas një vendimi të votuar 8 pro dhe 2 kundër, edhe pse Duggan nuk ishte i armatosur në momentin që u qëllua për vdekje.

Sipas tyre, është më se e mundshme që, vetëm pak përpara se të vritej, Duggan të ketë hedhur armën nga taksia drejt një zone të gjelbër pranë vendngjarjes.

Në gjykatë pati shpërthime emocionale pas arritjes së vendimit, raporton Shoqata e Shtypit në Britaninë e Madhe. Ajo citon vëllain e Duggan, Shaun Hall, të thoshte: “Ne ende do të luftojmë për drejtësi”.

Gjyqi nisi në Shtator dhe gjykatësve u ishte kërkuar të vendosnin nëse Duggan ishte qëlluar në mënyrë të ligjshme apo të paligjshme, ose thjesht të kthenin një verdikt të hapur.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA