
Ekspertët mendojnë se ekonomia ndodhet në udhëkryq dhe viti 2014 është
një test i fortë, që do të përcaktojë të ardhmen e saj.
Për Arben
Malajn, ky është viti i fundit kur Qeveria ka luksin ta stimulojë
ekonominë me borxh.
“Në parim ato reforma që do të bëhen dhe se si do ndërtohet buxheti afatmesëm 2015-2017 do të shohim se ai do të jetë më i shtrënguar në krahun e shpenzimeve, çka do të thotë nuk do të kemi të njëjtin fleksibilitet.Duhet të përgatitemi për reforma të cilat na ndihmojnë që shtrëngesat që vijnë nga ulja e deficitit, të kompensohen nga rritja e investimit privat dhe të biznesit vendas dhe të huaj në ekonominë shqiptare. Në rast të kundërt do të jetë të vështirë të jemi optimistë”, tha Malaj.
Qeveria do të shpenzojë 455 miliardë lekë në total, 35 miliardë nga të cilat shkojnë për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura.
Selami Xhepa, ekspert i ekonomisë mendon se stimuli i fortë mund të nxisë rritjen ekonomike, por nënvizon se pikërisht prej tij rrjedhin edhe rreziqet më të mëdha për ekonominë.
“Në veçanti rritja e huamarrjes, pra nëse nga njëra anë është pozitive për shkak të rritjes së kërkesës agregate, nga ana tjetër shoqërohet me një rritje të ndjeshme të barrës së borxhit publik dhe për rrjedhojë ndikimet që kjo mund të ketë në tregjet financiare mund paraqesin kërcënime për zhvillimet e ardhshme. Po kështu pasiguritë mbeten edhe zhvillimi që do të kenë normat e interesit në tregjet europiane”, tha Xhepa.
Konsesusi mes ekonomistëve është se i vetëm, borxhi i lartë nuk mund të jetë varka e shpëtimit për ekonominë, nëse Qeveria nuk fillon reformat për të lehtësuar biznesin.
“Qeveria duhet t’i japë prioritet lehtësimit të të bërit biznes, t’i japë prioritet funksionimit të shtetit ligjor. Biznesi duhet të ndjejë që do të konkurrojë, që do të ketë me pak ose të eliminohen pengesat që e kanë sjelle rritjen tonë ekonomike 1 për qind”, tha Malaj.
Selami Xhepa thotë se veç klimës së biznesit dhe administrimit fiskal, reformat duhet të prekin edhe entet publike që mbikëqyrin tregjet.
“Ajo, që mundet të konsiderohet si një çështje që mund t’i kundërbalancojë këto efekte negative, duhet të jenë reforma strukturore dhe këtu kam parasysh reformën në përmirësimin e sistemit të administrimit të politikave në tërësi, duke nisur që nga entet rregullatore, duke vazhduar me entet e mbikëqyrjes së tregjeve.Normalisht ajo çfarë po ndodh është një rritje shumë herë më e madhe e këtyre ndryshimeve në paketën fiskale, po i faturohet konsumatorit dhe kjo tregon për dobësi në funksionimin e autoriteteve të mbikëqyrjes së tregjeve dhe që tregojnë për mënyrën se si tregjet duhet të funksionojnë normalisht”, tha Xhepa.
Viti 2013 vlerësohet edhe nga ndërkombëtarët si pika më e ulët e ekonomisë shqiptare. Për 2014 parashikohet që rritja ekonomike të ketë një përshpejtim të lehtë, por për shkak të borxhit të lartë, rreziqet janë shtuar.
Top Channel