Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga priti të mërkurën në një takim kryeministrin Hashim Thaçi, me të cilin bisedoi për situatën aktuale dhe për koordinimin dhe bashkëpunimin institucional, njoftohet përmes një komunikate për shtyp.

Kryeministri Thaçi e njoftoi kryetaren e shtetit për procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel me palën serbe, si dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë këtij procesi.

Zoti Thaçi e informoi presidenten edhe për procesin e reformës zgjedhore, në funksion të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në afatin e parashikuar kushtetues dhe ligjor.

Informacione të tjera kanë qenë edhe ato për takimin ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që do të mbahet në Prizren, për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet të dy vendeve dhe për përparimin e axhendës evropiane.

Në komunikatë thuhet se, presidentja Jahjaga i dha mbështetje procesit të dialogut dhe theksoi se procesi i integrimeve evropiane për të gjitha vendet e rajonit të Evropës Juglindore lehtësohet përmes bashkëpunimit ndërmjet tyre në të gjitha fushat dhe ndërtimit të fqinjësisë së mirë.

Top Channel