Fatura e një muaji të energjisë elekrtike tejkalon shumën e pensionit mujor që merr! Një banore e Prishtinës thotë se e ka të pamundur të paguajë borxhin ndaj KEDS-it për muajin e fundit. Për këtë arsye ajo kishte drejtuar ankesë në zyrat e KEDS-it.

“Unë jam pesnisoniste, s’kam të ardhura të tjera. Muajin e kaluar pagova 32 euro, këtë muaj 90. Ku kam unë të paguaj kaq?! Ankesa kemi bërë, tani të shohim”, thotë ajo për mikrofonin e Top Channel.

Edhe dhjetëra qytetarë të tjerë kishin mbushur zyrat e kompanisë shpërndarëse të energjisë, KEDS. Shumë prej tyre për të drejtuar ankesa për faturat e fundit, pasi sipas tyre tejkalojnë çdo limit.

“160 euro me dru vetëm. Energjinë e përdor vetëm për drita, sepse ngrohjen e bëjmë vetëm me dru. Nuk e di se si do të paguajmë. S’kam nga i marr 160 euro unë”, thotë njëri prej tyre.

Një tjetri muajin e kaluar i kishte ardhur pagesa më pak se dhjetë euro, ndërkohë që për muajin dhjetor mbi 80 euro. Avni Uka nga Prishtina thotë se për një muaj fatura e energjisë është mbi 120% më shumë se muaji paraprak.

“Muajin e kaluar ka ardhur 51 euro. Fatura e janarit dhe dhjetorit ka ardhur mbi 160, mbi 120 për qind më shumë. Nuk jam unë i vetmi. Ka njerëz që nuk punojnë dhe rrijnë në të ftohtë”, thotë Uka.

Askush nga zyrtarët e KEDS-it nuk deshi të fliste për TCH lidhur me këtë çështje. Ndërkohë që është paralajmëruar një konferencë për shtyp në ditët në vijim me anë të së cilës pritet të saqrohet faturimi i fundit. Sipas burimeve jozyrtare, ashtu si vitin e kaluar edhe këtë vit ka pasur pasaktësi në faturim dhe lexim të matësve.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta