Shtëpia e Bardhë në deklasifikuar tre dokumente sekrete që kanë të bëjnë me Kosovën. I pari ka të bëjë me memon e Këshilltarit për çështje të sigurisë drejtuar në shtator të vitit 1998, atëherë, presidentit amerikan Bill Clinton lidhur me ultimatumin e NATO-s, dokumenti i dytë ka të bëjë me shkresën nga takimi ku janë diskutuar opsionet ushtarake të ndërhyrjes së NATO-së në Kosovë (mars 1999), ndërkaq dokumenti i tretë shpalos hollësitë nga biseda telefonike e Clintonit me Hashim Thaçin në kohën kur ai ishte lider politik i UÇK-së.

“Me t’u ofruar dimri e me rezistencën e mëtejshme të Miloshevicit, është arritur pajtimi se ka ardhur koha kur duhet mbështetur kërkesat ndërkombëtare për zgjidhjen politike dhe për t’i dhënë fund dhunës kundër popullatës civile nëpërmjet kërcënimit të besueshëm me ndërhyrjen ushtarake të NATO-s. Kjo nënkupton se duhet bërë trysni në NATO që të lëshojë një ultimatum ku kërkon nga Millosevici të ndërmarrë hapa konkretë për të zgjidhur krizën humanitare dhe politike, ose do të ballafaqohet me përgjigjen ushtarake”, shkruante Këshilltari, Samuel Berger, presidentit Clinton në shtatorin e vitit 1998.

Berger ka shtuar se në rast të kundërshtimit të Millosevici-t SHBA-të “duhet të jenë të gatshme për një ndërhyrje të gjerë ajrore me qëllim të pengimit të Millosevici-t të realizojë operacione ushtarake në Kosovë”.

“Ultimatumi duhet të shoqërohet me vërejtjen strikte drejtuar shqiptarëve të Kosovës që ata të mos provokojnë përgjigje ushtarake të Serbisë”, ka shkruar mes tjerash Berger, i cili poashtu ka shpjeguar se ‘ekziston konsensus që qasja të jetë ekskluzivisht e ndihmës humanitare’, thotë RTK.

Berger po ashtu i ka tërhequr vërejtjen Clintonit se “zgjatja i operacioneve brutale nga forcat serbe të kombinuara me ndërprerjet e sulmeve të UÇK-së do të vazhdojnë të pengojnë ndihmën humanitare, kurse rreziku për masakra do mbetet edhe më i lartë”.

Një pjesë e dokumentit ka të bëjë me OKB-në dhe Rezolutën e atëhershme të saj. “Rezoluta ndihmon në përgatitjen e bazave politike për përdorimin e forcës nga shumë aleatë tona, por ajo nuk e bën në mënyrë eksplicite autorizimin për përdorimin e saj”, shkruan Berger, sipas të cilit për shkak të rezistencës nga Rusia për përdorim të forcave “SHBA-të duhet të konsultohen nga afër me Rusinë, direkt me të dhe përmes NATO-së, në mënyrë që të kufizohen dëmet në marrëdhëniet mes tyre”.

Këshilltari i presidentit të atëhershëm të SHBA-ve kishte ngritur po ashtu edhe shqetësimin e Kongresit amerikan për ndërhyrjen ushtarake dhe frikën se diçka të tillë, Kongresi mund ta shohë si ‘ndërhyrje që rrezikon forcat amerikane’ dhe që mund të shpjerë në ‘një zotim afatgjatë ushtarak për të mbështetur autonominë e Kosovës’.

Rreziku tjetër që përmendet në këshillat e Bergerit drejtuar Clintonit 6 muaj para fillimit të ndërhyrjes së NATO-s, në Kosovë është ai se përdorimi i forcës apo madje vetëm i kërcënimit ‘mund të shkaktojë që Beogradi të ndërpresë përpjekjet për të ndihmuar si dhe të ndërpres procesin e negociatave, gjë që do të thellojë krizën edhe më shumë’.

Në fund të shkresës Berger i rekomandon Presidentit që të pajtohet për t’u përgatitur për ultimatumin e NATO-së, të mbështetur më kërcënimin për përdorimin e fuqisë ajrore dhe strategjive përcjellëse diplomatike.

Dokumenti i tretë i deklasifikuar, po ashtu ka të bëj kohën kur Bill Clinton ishte president. Ai shpalos detajet e bisedës telefonike që Clinton kishte realizuar me liderin politik të UÇK-së, Hashim Thaçi, pas tërheqjes së forcave serbe nga Kosova, pra pas ndërhyrjes 79-ditore nga ajri të NATO-së në Kosovë.

Gjatë kësaj bisede Clinton ka falënderuar Thaçin për “demilitarizimin dhe transformimin e UÇK-së”  dhe ‘që kjo ndodhi pikërisht në ditën kur u përmbyll procesi i tërheqjes së forcave serbe nga Kosova’.

Atëherë lideri politik i UÇK-së, aktualisht Kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi i përgjigjet Presidentit amerikan, po ashtu me një falënderim dhe i thotë se ‘demilitarizimi është edhe sukses i tij’. “Ky ka qenë një kompromis nga ana jonë që e bëmë për hir të angazhimit për paqen e stabilitetin në Kosovë e rajon”, i kishte thënë mes tjerash Thaçi.

Më pas Clinton premton se do të angazhohet për sigurinë, për forcën lokale policore dhe institucionet vetëqeverisëse në Kosovë. Në anën tjetër Kryeministri aktual i Kosovës i premton presidentit amerikan se ‘do të respektohen të drejtat e njeriut dhe të drejtat e minoriteteve në Kosovë’.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA