
Janet Yellen, një nga forcat kryesore prapa përpjekjeve të paprecedenta dhe kontroverse të Rezervës Federale (Bankës Qendrore Amerikane) për t’i dhënë një shtysë ekonomisë amerikane, u konfirmua nga Senati gjatë ditës së hënë, për të qenë në krye të këtij institucioni.
Kur të pasojë Ben Bernanke-n, mandati i dytë katërvjeçar i të cilit skadon më 31 Janar, Yellen do të bëhet e para grua që vihet në krye të Rezervës Federale në historinë e saj 100-vjeçare, si dhe një nga të paktat femra, që mbajnë këto poste në bankat qendrore të vendeve të ndryshme të botës.
Aktualisht, Yellen është zv/kryetare e Rezervës Federale. Votimi për miratimin e kandidaturës së saj përfundoi me 56 vota pro dhe 26 kundër. E mbështetën demokratët, por shumë republikanë i thanë ‘jo’ kësaj kandidature.
Rezerva uli normën e interesit brenda natës, duke e bërë thuajse zero gjatë fundit të vitit 2008, dhe ka katërfishuar bilancin e saj, pak më shumë se 4 trilionë dollarë, përmes një serie programesh të blerjes masive të obligacioneve, në mënyrë që të ulte sa më shumë kostot e huamarrjes afatgjatë.
Yellen, 67 vjeçe, kaloi vite të tëra në mbrojtje të përpjekjeve të saj, duke argumentuar – qoftë gjatë kohës si zëvendëse e Bernanke-s, ashtu edhe më parë, kur ajo ishte kryetare e Bankës së Rezervës Federale të San Francisco-s, – se nëpërmjet tyre do të reduktohej kostoja e huamarrjeve, do të rritej punësimi dhe do arrihej në një rritje ekonomike.
Tashmë, ato politika duken më se funksionale: norma e papunësisë në SHBA ra gjatë muajit Nëntor në 7%, niveli më i ulët gjatë këtyre 5 viteve, ndërsa ekonomia ka pësuar një rritje gjatë tremujorit të tretë të vitit 2013, me shpejtësinë më të madhe në këto 2 vitet e fundit.
Top Channel