Qeveria “e përbashkët” Shqipëri-Kosovë

07/01/2014 00:00

100 mijë euro është fondi i parë që dy qeveritë shqiptare do të akordojnë për Preshevën në mbledhjen e së shtunës në Prizren.

Fondi që do të shkojë për ndërtimin e maternitetit të Luginës së banuar me shumicë shqiptare në Serbi, vendoset përkrah kontributit të disa agjencive dhe partnerëve ndërkombëtare. Por më shumë sesa tek fondi konkret, për ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, risi është simbolika që ajo përcjell.

“Risia nuk është vetëm tek Lugina e Preshevës, risi është fakti që për herë të parë dy qeveritë tona ulen dhe diskutojnë konkretisht për të thelluar integrimin ekononomik, për të thelluar bashkëpunimin, për të diskutuar në mënyrë skrupuloze për disa çështje që janë në interes të ndërsjelltë për qytetarët e Shqipërisë dhe të Kosovës dhe për të përcaktuar një vijë të qartë, siç është deklarata e partneritetit strategjik, se si dy vende tona do të mbështesin njëri-tjetrin për të qenë nesër anëtarë të denjë të NATO-s dhe anëtar të BE-së”, tha Bushati.

Qeveria Rama dhe Thaçi do te nisin bashkepunimin, qe ministri Bushati e konsideron kapitalar ne shume fusha, me nje nga problematikat me te medha qe dy shtetet shqiptare janë perballur keto vite, shkembimet tregtare.

“Janë tre fusha, të cilat do t’i rendisja si fusha me përparësi absolute për mbledhjen e parë të dy qeverive tona. E para ka të bëjë me një lehtësim të procedurave tregtare sepse në të shkuarën, siç e dimë nga të dyja anët e kufirit ka patur probleme, të cilat ne i kemi identifikuar dhe duam t’i adresojmë një nga një; së dyti për të hapur një korsi të re në fushën e transportit dhe së treti bashkëpunim përsa i përket procesit të integrimit europian”, tha Bushati.

Mbledhja e dy qeverive shqiptare qe per ne konsiderohet risi, ne fakt, – thote shefi i diplomacisë, – është një praktikë e shumë vendeve në rajon dhe më gjere. Perveç Kosoves, ne nje faze tjeter te tilla angazhime do te ndermerren edhe me qeveri te tjera në rajon, aty ku shqiptarët janë prezentë dhe faktor. Në këtë pike, ministri i Jashtëm gjen rastin të denoncojë si spekulim tërësisht  mediatik mbylljen e ambasadave në rajon.

“Nuk bëhet fjalë për një proces, i cili do të bëhet me të rënë të lapsit. Rajoni është prioritet në politikën tonë të jashtme, është vendi ku Shqipëria duhet dhe do të jetë më dinamike me qasjen e saj konstruktive dhe stabilizuese, është i vetmi vend anëtar i NATO-s në rajon, pas anëtarësimit të Kroacisë në BE dhe ne do ta ushtrojmë këtë përgjegjësi me kapacitet të plotë. Rajoni është një nga prioritetet tona”, u shpreh Bushati.

Axhenda integruese e Shqipërisë
Më 28 Janar, Komisioneri Fule në Tiranë, për vazhdimin e bisedimeve

Pavarësisht se rritja e aktivitetit diplomatik në rajon e shënjon 2014 si vitin e rajonit, integrimi europian mbetet në krye të axhendës. Ministri i Jashtëm deklaron se bisedimet e nivelit të lartë do të vijojnë më 28 janar, kur Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fule, do të jetë në Tiranë për diskutimin konkret në 5 fushat prioritare.

“Si ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, besoj dhe dua ta besoj se në Qershor vendet anëtare do ta kenë të mundur të japin një vendim pozitiv për sa i përket aplikimit të Shqipërisë, sepse besoj që çdo vonesë në këtë drejtim, nuk do të jepte sinjalet e duhura që, sot për sot, Shqipëria dhe rajoni kanë nevojë. Shqipëria meriton statusin e vendit kandidat dhe do të vazhdojë me vendosmëri në rrugën e reformave, pavarësisht se kur do të vijë një vendim i tillë”, përfundoi Ditmir Bushati.

Top Channel